SHBA nuk pret përfshirjen në luftë, parashikon një sulm iranian kundër Izraelit

 

 

Shtetet e Bashkuara parashikojnë që Irani të ndërmarrë një sulm kundër Izraelit, por jo i përmasave për ta tërhequr Uashingtonin në luftë, tha një zyrtar amerikan të enjten vonë.

Shtëpia e Bardhë tha më herët se Uashingtoni nuk dëshironte që konflikti të përhapej në Lindjen e Mesme dhe se Shtetet e Bashkuara i kishin thënë Iranit se nuk ishin përfshirë në një sulm ajror kundër një komandanti të lartë ushtarak iranian në Damask.

Po ashtu u tha se Shtëpia e Bardhë e kishte paralajmëruar Iranin që të mos e përdor sulmin në Damask si arsye për të përshkallëzuar më tej situatën në rajon.

Izraeli po vazhdon luftën në Gazë, por gjithashtu po përgatitet për skenarë në zona të tjera, tha të enjten kryeministri Benjamin Netanyahu, mes shqetësimeve se Irani po përgatitej të godiste Izraelin si përgjigje për vrasjen e komandantëve të lartë iranianë.

“Kushdo që na dëmton, ne do t’i dëmtojmë ata. Ne jemi të përgatitur t’i plotësojmë të gjitha nevojat e sigurisë së shtetit të Izraelit, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”, thuhet në komentet e Netanyahu të publikuara nga zyra e tij pas një vizite në bazën e forcave ajrore Tel Nof në jug të Izraelit.

Avionë luftarakë, që dyshohet të jenë izraelitë, bombarduan të hënën ambasadën e Irani në Damask.

Irani është zotuar të hakmerret kundër sulmit që la të vrarë një gjeneral të lartë dhe gjashtë oficerë të ushtrisë iraniane.

Sulmi ka rritur edhe më tej tensionet në rajonin e trazuar nga lufta në Gazë. Izraeli nuk ka thënë se ishte përgjegjës për sulmin, por udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha të mërkurën se Izraeli “duhet dhe do të ndëshkohet” për sulmin.

Burime iraniane i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se Teherani e ka sinjalizuar Uashingtonin se do të hakmerret ndaj sulmit izraelit kundër ambasadës së tij në Siri në një mënyrë që synon të shmangë përshkallëzimet në shkallë të lartë dhe nuk do të veprojë me nxitim, pasi Teherani ka parashtruar kërkesa, përfshirë një armëpushim në Gazë.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, kundëradmirali Daniel Hagari tha se nuk i është kërkuar popullsisë civile që të bëjnë ndonjë përgatitje speciale, por shtoi se Izraeli ishte “shumë i përgatitur për një sërë skenarësh”.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë në gatishmëri të lartë lidhur me mundësinë e sulmeve të mundshme hakmarrëse nga Irani ndërsa të dërguarit e Uashingtonin po përpiqen të ulin tensionet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d