Dritan Shakohoxha ka komentuar aplikimin e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) që të organizojë Kampionatin Evropian U21 në vitin 2027, bashkë me Serbinë.
Gazetari tha se nuk e ka besuar se kjo do të ndodhte as në vitin 2014, duke iu referuar ndeshjes së Shqipërisë në Beograd, e nuk e beson as tash. Pavarësisht se kjo tashmë mund të vlerësohet si punë e kryer, Shakohoxha tha se “nuk e di nëse këtë do ta lejoj populli”.
“As atëherë, as sot nuk e besoj. Nuk e di a do ta lejoj populli që të bëhet. Dakord kanë rënë Federatat. Nuk e di pse po e djallosin kaq shumë. Të gjithë janë kundër kësaj. Besoj se edhe ata vet brenda vetës nuk janë pro. Kjo është një djallëzore, nuk ka asnjë motiv për t’u bërë, përveç motiveve të pandershme. Shqipëria ka 4 stadiume tani, deri në 2027 do të ketë edhe dy stadiume tjera… mund ta bëjë vet këtë. Por, edhe Kosova pritet të bëjë stadiume. Prishtina do të presë Lojërat Mesdhetare, që do të ketë shumë herë më shumë sportistë se një Evropian”, tha Shakohoxha në emisionin “Favorit” t=në T7.
“Kanë marrë një vendim të rëndë tash, për vitin 2027. Thikë pas shpine për Kosovën. Vetëm FSHF-ja njeh si kufitar Serbinë. Të bësh një event me një shtet që nuk e ke fqinjë… pse nuk e bënë më dikë tjetër. Shqipëria ngeli në dorën e Serbisë. Nuk ka shtet që është dënuar më shumë pa tifozë se Serbia. Nuk e kuptoj pse Shqipëria duhet të rehabilitojë Serbinë. Shpresoj që Kosovën shumë shpejt ta njohin edhe më shumë shtete dhe të pranohet në OKB, pastaj ta bëjë një referendum për bashkim me Shqipërinë… çka nëse Kosova e Shqipëria bashkohen deri në vitin 2027, si do ta bënim bashkë me Serbinë?”, deklaroi Dritan Shakohoxha./