Serbia po shihet si faktor destabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Deputeti shqiptar në kuvendin serb, Shaip Kamberi, thotë se Serbia po pret që të ndryshojnë rrethanat gjeopolitike për ta sulmuar Kosovën.
Sipas Kamberit, aleanca e Serbisë me Kinën e Rusinë është sinjal i qartë për botën perëndimore.
“Ata veçse e kanë thënë se po presin një moment të përshtatshëm gjeopolitik kur ata do të marshojnë sërish në Kosovë. Pra kemi të bëjmë me një politikë destabilizuese dhe luftënxitëse qe po mbështetet nga dy fuqi botërore siç janë Kina dhe Rusia. Me këto dy fuqi, Serbia do të synoj ta destabilizoj Kosovën veçanërisht ne pjesën veriore të vendit”, tha Kamberi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përmendur disa herë ne medie vendore dhe ndërkombëtare që Serbia akoma paraqet kërcënim për Kosovën.
Kujtojmë që përgjatë viteve të fundit, Serbia ka rritur dukshëm investimet ushtarake.