Koreja e Jugut ndjehet e kërcënuar nga Pheniani. Alarmin e kanë ngritur zyrtarët e Seulit për faktin se, Pheniani ka në zotërim raketa balistike të cilat shumë shpejt pritet ti vendosë në kufirin me Korenë e Jugut. Raketat besohet se kanë një rreze veprimi prej 110 km, duke mundësuar goditjen e disa provincave në jug të Seulit, citon Reuters.
Media shtetërore e Koresë së Veriut raportoi në fillim të këtij muaji se udhëheqësi Kim Jong Un mbikëqyri zhvendosjen e 250 raketave të reja taktike balistike të përshkruara si armë taktike moderne të dizajnuara personalisht nga Kim për t’u transferuar në kufi.
Ekspertët thonë se Pheniani mund t’i përdorë ato për të sulmuar ose kërcënuar Seulin. Por zyrtarët e inteligjencës së Koresë së Jugut, janë skeptikë nëse Koreja e Veriut mund të furnizojë raketa për 250 raketahedhës, ndërkohë që furnizon gjithashtu me armë Rusinë si pjesë e bashkëpunimit ushtarak dypalësh.
Ndërkohë udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka marrë pjesë një test të dronëve. Kim bëri thirrje për prodhimin e më shumë dronëve vetëvrasës që do të përdoren në këmbësorinë taktike dhe njësitë e operacioneve speciale, të tilla si dronët sulmues vetëvrasës nënujorë, si dhe dronët e zbulimit strategjik dhe sulmet me shumë qëllime, citon Reuters.
Pheniani ka rritur aftësitë e tij taktike të luftës duke përfshirë raketa me rreze të shkurtër veprimi dhe artileri të rëndë që synojnë të godasin Jugun, pasi ka bërë përparime dramatike në programet e raketave balistike me rreze më të gjatë dhe programet bërthamore.
Testimi i dronëve u bë në kohën që ushtria e SHBA-së dhe ajo e Koresë së Jugut po kryejnë një stërvitje masive, e cila do të vazhdojë deri të enjten. Stërvitjet përqendrohen në përmirësimin e gatishmërisë kundër kërcënimeve nga Koreja e Veriut dhe përfshijnë simulime kompjuterike të luftës dhe trajnim me armë zjarri, me një stërvitje të përbashkët ajrore që përfshin 60 avionë luftarakë.
Zëdhënësi i Shefave të Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut, tha se ushtria e Koresë së Jugut po shqyrtonte me kujdes aftësitë e dronëve të Koresë së Veriut dhe se ushtria e Koresë së Jugut është e pajisur me sisteme për t’i zbuluar dhe kapur ato, pa dhënë detaje të mëtejshme.