Sekuestrimi i armatimit në veri, u gjetën në vendin ku u vra Afrim Bunjaku

 

 

Policia e Kosovës ka sekuestruar armatim, të gjetur pranë një flamuri të Serbisë, në fshatin Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të vendit. Gjatë patrullimit të datës 4 janar, janë gjetur dhe sekuestruar një flamur i shtetit të Serbisë, 34-gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689-fishekë kalibrash të ndryshëm.

Policia e ka cilësuar rastin “armëmbajtje pa leje” dhe deri tani nuk ka persona të arrestuar lidhur me këtë rast, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se këto municione u gjetën afër urës ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

“Në anën e djathtë të vendit ku u vra polici ynë në shtator, jo në drejtim të manastirit ku tashmë kemi bërë kontrolle, por para urës në këtë fshat – rastësisht kemi hasur në 689 copë municione”, tha Elshani.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë – duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane.

Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d