Sot [e enjte] në New York do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, e paraparë me kërkesë të Serbisë.
Seanca pritet të fillojë nga ora 21:00.
Serbia ka dashur që seanca të jetë e hapur në kërkesën që ia ka bërë Ministrisë së Jashtme të Guajanës, e cila aktualisht kryeson Këshillin e Sigurimit.
Të hënën, Serbia kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë, për të cilën pretendojnë se është “në kontrast të fortë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. Do të diskutohet për vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit nga Banka Qendrore e Kosovës.
Dy herë në vit, në prill dhe tetor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban seanca të rregullta për situatën në Kosovë, ku diskutohen raportet gjashtëmujore të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Seanca e fundit e tillë u mbajt më 23 tetor 2023.