Politikani serb Nikolla Sanduloviq është arrestuar dhe rrahur brutalisht nga BIA serbe, për shkak se nderoi rënien e komandantit legjendar Adem Jashari. Ndërsa avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, ka njoftuar se Sanduloviq po dërgohet në burgun qendror në Beograd nga Emergjenca ku dje u shtrua pasi u raportua se ishte rrahur nga zyrtarë të shërbimit sekret.
Avokati Stojkoviq ka thënë se Sanduloviqi po transferohet në burg kur “jeta e tij është në rrezik”.
“Ata po e largojnë sepse Nikola vendosi lule në varret e shqiptarëve. Është akuzë zyrtare dhe formale ndaj tij. Më lejoni të përsëris, akuza zyrtare ndaj tij është se ka përhapur urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varret e shqiptarëve duke kërkuar falje nga shqiptarët për krimet e kryera”, ka shkruar ai në plaformën X.
Sipas avokatit, Stojkoviq është rrahur dy ditë më parë në ndërtesën e BIA-s për këtë arsye: “sepse vendosi lule në varret e shqiptarëve në Kosovë”.