Sa shpenzojnë anëtarët e NATO-s?

 

 

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka ngjallur reagime me kritikat e tij se “do të inkurajojë” Rusinë që të sulmojë shtetet e NATO-s që nuk kanë shpenzuar mjaftueshëm në mbrojtje.

Këtë deklaratë e ka cilësuar si të turpshme dhe jo-amerikane, presidenti aktual Joe Biden.

Shtetet e aleancës ushtarake janë zotuar se do të shpenzojnë së paku 2 për qind të vlerës së ekonomisë së tyre – të matur me GDP – në mbrojte çdo vit deri në vitin 2024.

NATO-ja ka vlerësuar se për vitin 2023 Polonia ishte shpenzuesja më e madhe, duke shpenzuar 3.9 për qind të GDP-së, që është dy fish më shumë sesa shuma që kishte shpenzuar në vitin 2022.

SHBA-ja është në vendin e dytë, duke shpenzuar 3.5 për qind. Kjo shifër është në nivelin e njëjtë të shpenzimeve për dekadën e fundit.

Në total, 11 nga 31 shtetet e NATO-s kanë shpenzuar më shumë se 2 për qind, me mesataren për anëtaret e NATO-s në Evropë dhe Kanada që shkon në 1.74 për qind.

SHBA-ja është fuqi botërore, me ushtrinë e angazhuar rreth botës, jo vetëm në NATO. Ka GDP-në të barabartë me të gjitha shtetet tjera të NATO-s gjatë vitit 2023, dhe kontribuon më shumë se dy të tretat e buxhetit të NATO-s.

Shpenzimet në mbrojtje nga anëtaret evropiane të NATO-s dhe Kanadaja janë ngritur gjatë 10 vjetëve të fundit.

Caku aktual prej 2 për qind të GDP-së në shpenzime të mbrojtjes deri në vitin 2024 ishte miratuar në vitin 2014.

Atë vit, vetëm tri shtetet (SHBA-ja, Britania dhe Greqia) kishin shpenzuar më shumë se 2 për qind në mbrojtje.

Gjermania në vitin 2019 kishte paralajmëruar se nuk do të arrinte cakun e 2 për qind deri në vitin 2031.

Shtetet e NATO-s gjithashtu ishin pajtuar që deri në vitin 2024 së paku 20 për qind e shpenzimeve të mbrojtjes do të shkonin në zhvillimin dhe blerjen e pajisjeve ushtarake.

Në vitin 2023, të gjitha shtetet e NATO-s e arritën këtë për herë të parë që prej vitit 2014 kur u zotuan, raporton BBC.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d