Sa parashihet dënimi maksimal për të miturit që kryejnë krime

 

 

Nëse rasti i vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë kualifikohet “lëndim i rëndë trupor me pasoja fatale”, dënimi për dy të dy dyshuarit e mitur nuk mund të jetë mbi 5 vite burgim. Nëse, në anën tjetër, kualifikohet si “vrasje e rëndë”, dënimi mund të shkojë deri në 10 vite burgim.

Kështu ka vlerësuar avokati Asdren Hoxha, duke theksuar gjithashtu se procedura për të miturit është e ndryshme, pasi nuk mund të hetohet apo të ngrihet aktakuzë.

“Nisur nga kodi i drejtësisë për të mitur, duhet pasur parasysh dënimi për të mitur nuk mund të jetë më i vogël se gjashtë muaj por jo edhe më i madh se pesë vjet. Në rastet ekstreme të miturit mund t’u shqiptohet dënim mbi 5 vjet por jo më shumë se 10 vite në asnjë mënyrë vetëm atëherë në qoftëse i mituri kryen vepër penale për të cilën parashihet dënimi më burgim të përjetshëm apo në qoftëse i kryen dy vepra në mënyrë kumulative për të cilat dënimi parashihet mbi dhjetë vite burgim” ka deklaruar Hoxha në emisionin Rreth e Rrotull.

Sipas tij, në këtë rast kualifikimi ligjor do të jetë i vështirë “për të vërtetuar qëllimin për vrasje” dhe se afati për shqyrtimin e rastit është 24 orë, edhe aty duhet të merret vendimi për procedurën përgatitore.

Ndërkaq, psikologu Dorjan Krasniqi, duke analizuar ngjarjen, ka theksuar se mosha e të dyshuarve është e ndjeshme dhe ndryshimet emocionale dhe trupore janë të mëdha në adoleshencë.

Megjithatë, ai thotë se çdo individ duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.

“Mosha e tyre është delikate sepse ndryshimet janë të mëdha në adoleshencë qoftë emocionale qoftë trupore qoftë sociale. Mirëpo secili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij. Ajo që pamë në këtë rast ishte brutalitet, ka qenë një sulm i cili mendoj që qoftë me paramendim apo jo një person është i vdekur”, ka thënë ai.

Prania e dhunës te të miturit sipas psikologut Krasniqi ka të bëjë edhe me mungesën e edukimit të mirfilltë.

“Ligjet e buta ndoshta edhe trajtimi i butë krahas veprës që e bëjnë, mund ta shkaktoj këtë, po ashtu keq edukimi edhe problemet që jemi duke i hasur në shkollimin e tyre qoftë edhe në llojin e prindërimit. Reagimet janë të dobëta, bëhen reagime në rrjete sociale por në raste të tilla duhet të ketë ashpërsim të masave”, shtoi Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d