Rusia ka kryer sulme me dronë, me raketa lundruese dhe balistike ndaj Kievit mëngjesin e 2 shtatorit, tha kryetari i kryeqytetit ukrainas.
Të paktën dy persona janë plagosur, ndërkaq zjarri, që u shkaktua nga rënia e copëzave të raketave, ka dëmtuar shtëpi dhe infrastrukturë. Një ndërtesë e një impianti të ujit, që shërbente si strehimore ndaj bombardimeve në Kiev, është dëmtuar pjesërisht, tha kryetari i kryeqytetit ukrainas, Vitaliy Klitschko.
Ai tha se dy persona u plagosën gjatë sulmit, duke shtuar se ekipet emergjente kanë intervenuar në disa qarqe të Kievit, pas rënies së copëzave të raketave.
Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, tha se mbi 10 raketa lundruese, 10 raketa balistike dhe një dron që u gjuajtën nga Rusia ndaj Kievit u shkatërruan nga mbrojtja ajrore ukrainase.
Për rreth dy orë, në mbarë Ukrainën u lëshuan alarmet për sulme ajrore, ndërkaq më pas autoritetet thanë se qiejt e Ukrainës ishin të sigurt.
Polonia fqinje, shtet anëtar i NATO-s, sipas agjencisë Reuters, ngriti në ajër avionët e saj dhe të aleatëve për të mbajtur të sigurt hapësirën e saj ajrore gjatë këtyre sulmeve.