Rusia kryen sulm të madh me dronë në Kiev

 

 

Ushtria ruse e sulmoi me dronë kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, të premten në mëngjes, duke i plagosur dy persona dhe duke shkaktuar dëme në prona. Ky ishte sulmi i gjashtë i tillë në kryeqytetin ukrainas këtë muaj dhe pjesë e një tufe të madhe dronësh të cilët i goditën pjesë të Ukrainës qendrore, jugore dhe perëndimore, thanë forcat ajrore ukrainase.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës tha se i rrëzoi 24 prej 28 dronëve të cilët e sulmuan.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, shkroi në Telegram se një dron e kishte goditur një ndërtesë banimi në rrethinën Solomianski, në jug të qendrës së qytetit, duke shkaktuar zjarr në katet e sipërme të saj.

Zjarri u shua shumë shpejt, sipas tij.

Shërbimet emergjente thanë se disa banesa u dëmtuan në katet 24, 25 dhe 26 të ndërtesës së lartë të banimit.

Dy persona u lënduan, njëri prej të cilëve është duke u mjekuar në spital.

Incidenti ndodhi qindra metra larg një spitali të lindjes.

Klitschko tha, po ashtu, se copëzat e dronëve ia vunë zjarrin një shtëpie që ishte duke u ndërtuar në rrethinën Darnitski në bregun lindor të lumin Dniepër. Ai tha se nuk kishte të lënduar atje.

Serhiy Popko, shef i administratës ushtarake të Kievit, raportoi se copëzat e dronëve të rrëzuar ranë mbi një ndërtesë banimi në një rrethinë tjetër, Holosivski, në jug të qendrës së qytetit.

Potko postoi fotografi ku shiheshin dritare të thyera dhe banesa të dëmtuara rëndë./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d