Rryma ende falas në veri, ZRRE-ja drejton gishtin kah ‘Elektroseveri’

 

 

Kanë kaluar disa muaj që kur KEDS-i pati nënshkruar kontratë me Elektroserverin për të shpërndarë dhe furnizuar me energji eklektike katër komunat veriore të Kosovës.

Që nga 9 dhjetori 2023, kur është arritur marrëveshja, ende në disa pjesë veriore të Kosovës nuk ka filluar faturimi i rrymës së shpenzuar.

Lidhur me këtë çështje “Front Online” ka adresuar pyetje tek Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Nga ZRRE kanë njoftuar se furnizuesi e ka obligim t’i shpërndaj faturat tek ato shtëpi që u është kryer leximi i njehsorëve.

Po ashtu, thuhet se faturat e konsumatorëve duhet të jenë me llojin e tarifës që janë dakorduar me furnizuesin.

“Sipas legjislacionit në fuqi, Furnizuesi është i obliguar që faturat e energjisë elektrike t’i shpërndaj tek të gjithë konsumatorët tek të cilët është kryer leximi i njehsorëve. Në përputhje me Rregullën për Kushtet e Përgjithshme të Furnizimit me Energji, Furnizuesi është i obliguar të faturojë dhe arkëtoj pagesat prej konsumatorët. Furnizuesi është i detyruar të sigurojë që konsumatorët të jenë të faturuar për energjinë e shpenzuar me llojin e tarifës të dakorduar me konsumatorin”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Qytetarët që nuk janë pajisur me njehsorë, duhet të nënshkruajnë kontratë me KEDS, thonë nga ZRRE.

“Nëse ndonjë nga konsumatorët nuk ka njehsor energjisë elektrike, apo matësi i tyre nuk është funksionalë, konsumatorët sipas Rregullës se mësipërme konsumatorët duhet të nënshkruajnë kontratën për furnizim dhe pastaj KEDS duhet t’i instalojë/ndërrojë njehsorët elektrik në mënyrë që konsumatorët të kenë matje të shpenzimit të energjisë elektrike”.

Kjo është mënyra që sipas ZRRE duhet të kryhen pagesat për rrymën në veri për qytetarët në pjesën veriore.

“Sipas Rregullës për Kushtet e Përgjithshme në Sektorin e Energjisë, pagesa e faturave duhet të bëhet në qendrën e specifikuar për arkëtim nga Furnizuesi çdo ditë të punës gjatë orëve të përshkruara, ose me ndonjë mënyrë tjetër të specifikuar në faturë apo në kontratën për furnizim”, thuhet në përgjigje.

Ndryshe nga komuna e Zveçanit dhe Zubin Potokut që ende nuk u janë dërguar faturat e rrymës, në Mitrovicën e Veriut tek një lagje ka filluar arritja e faturave por qytetarët janë ankuar për çmimin e tyre.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljani ka njoftuar se në lagjen e Boshnjakëve, disa biznese janë pajisur me fatura.

“Në lagjen e Boshnjakëve kanë filluar të vijnë faturat sidomos tek lokalët të cilët janë me biznese por në shtëpia ende nuk i kanë disa”, u shpreh ai.

Ai tha se qytetarët janë ankuar për vlerën e faturave.

Ugljanim thotë se rreth 2000 euro i është dërguar fatura një supermarketi.

Ai nënvizon se nuk është në dijeni për vlerësimin e “Elektroserver” qe ua ka bërë faturave.

“Ka ankesë nga qytetarët që nuk janë marr parasysh nga ora por paushall me vlera të ndryshme ku disa lokale i kanë 600, 800 euro ku ka edhe super markete që është në lagjen e Boshnjakëve që përmbi 2000 euro e si e kanë bërë vlerësimin nuk e dimë”, thotë Ugljani.

Në Komunë e Zubin Potokut ende nuk janë shpërndarë faturat e rrymës.

Kështu ka bërë të ditur kreu i kësaj komune, Izmir Zeqiri.

Ai tha se pasi të pajisen të gjithë qytetarët me orë digjitale fillon faturimi.

“Akoma nuk kanë shpërndarë ndonjë faturë. Pas pajisjeve me orë digjitale do të pasojnë faturat. Janë duke e pajisur Komunën gjithandej”, theksoi Zeqiri.

Kreu i komunës njoftoi se faturat do të llogariten në bazë të harxhimeve.

“Elektroserver e dinë se kur lëshohen faturat, ne s’kemi informatë. Në bazë të harxhimit të muajit kur kanë filluar orët do ta caktojnë edhe paushallin për muajin paraprak në bazë të harxhimeve sipas matjeve të orëve”, potencoi Zeqiri për Front Online.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2010 deri në vitin 2022, për rrymën e shpenzuar në veri janë paguar gjithsej 237 milionë euro (mesatarisht 19 milionë euro në vit).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d