Një sasi e madhe e të dhënave që rrodhën nga një fushatë dezinformuese e Rusisë kanë vënë në pah se si Moska synonte t’i njolloste Ukrainën dhe qeveritë perëndimore që e mbështesin atë, derisa, njëkohësisht, u përpoq ta rriste përkrahjen për partitë politike të ekstremit të djathtë në Bashkimin Evropian.
Dokumentet – që u siguruan nga një konsorcium i mediave evropiane dhe u ndanë me ekipin hulumtues të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Skemat – zbulojnë operacionet e brendshme të Agjencisë për Dizajn Social, një kompani me bazë në Moskë për të cilën Shtetet e Bashkuara thonë se e udhëhoqi fushatën propaganduese me urdhër të Kremlinit.
Fushata përfshinte një përzierje të shumëllojshme të memeve (shakave), videove të falsifikuara dhe dokumenteve qeveritare, si dhe një rrjet faqesh online të maskuara si portale të mirëfillta lajmesh nëpër Evropë, për të shpërndarë lajme të rrejshme me qëllim që ta minonin mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën, pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të saj në shkurt 2022.
Të dhënat tregojnë se një meme që denigron presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cila u shpërnda në X nga pronari i këtij rrjeti social, miliarderi Elon Musk, dhe pastaj u rishpërnda 86.000 herë, ishte krijim i Agjencisë për Dizajn Social.
Të dhënat që rrodhën, disa prej të cilave u bënë publike këtë muaj si pjesë e një aktakuze amerikane, u siguruan së pari nga mediat gjermane si Sueddeutsche Zeitung , NDR dhe WDR, të cilat i ndanë ato me Skemat dhe me disa organizata të tjera mediatike.
Ato u zbuluan nga një burim anonim, i cili tha për gazetarë se Agjencia për Dizajn Social ishte hakuar.