Shpenzimet e përgjithshme botërore ushtarake arritën në 2.443 miliardë dollarë më 2023, që përbën një rritje për 6.8 për qind krahasuar me vitin 2022.
Në raportin e Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm (SIPRI) të publikuar më 22 prill, u tha se kjo shifër paraqet rritjen më të madhe nga viti në vit që nga viti 2009. Dhjetë shpenzuesit më të mëdhenj më 2023 – të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia – që të gjithë rritën shpenzimet e tyre ushtarake, u tha në raportin e SIPRI-t.
Sipas raportit, për herë të parë që nga viti 2009, shpenzimet ushtarake u rritën në të pesë rajonet gjeografike, që analizohen nga SIPRI. Veçmas rritje të mëdha u regjistruan në Evropë, Azi, Oqeani dhe Lindje të Mesme.
“Rritja e paprecedent e shpenzimeve ushtarake është përgjigje e drejtpërdrejtë të përkeqësimit botëror të paqes dhe sigurisë”, tha Nan Tian, hulumtues i lartë në Programin për Shpenzime Ushtarake dhe Prodhim të Armëve në SIPRI.
“Shtetet po i japin prioritet forcimit ushtarak, por ato rrezikojnë të krijojnë një spirale veprim-reagim në peizazhin gjithnjë e më të paqëndrueshëm gjeopolitik dhe të sigurisë”, tha Tian.
Ndihma ushtarake për Ukrainën ngushton hendekun e shpenzimeve me Rusinë
Sa i përket Rusisë, SIPRI tha se shpenzimet ushtarake të shtetit u rritën për 24 për qind më 2023, apo 109 miliardë dollarë. Sipas raportit, Moska ka shënuar rritje të shpenzimeve në këtë fushë për 57 për qind që nga viti 2014, kur aneksoi paligjshëm Gadishullin ukrainas të Krimesë.
Më 2023, shpenzimet ushtarake ruse përbënin 16 për qind të shpenzimeve të përgjithshme të Qeverisë dhe barra e saj ushtarake (shpenzimet ushtarake si pjesë e Bruto Prodhimit të Brendshëm) ishte 5.9 për qind.
Ukraina, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022, është shteti i tetë në listën e shpenzuesve më të mëdhenj më 2023, pasi shpenzimet e Kievit u rritën për 51 për qind apo 64.8 miliardë dollarë. Thënë ndryshe, barra ushtarake e Ukrainës vitin e kaluar ishte 58 për qind e shpenzimeve totale të Qeverisë ukrainase.
Shpenzimet ushtarake të Ukrainës më 2023 ishin 59 për qind sa ato të Rusisë. Megjithatë, Ukraina ka pranuar po ashtu të paktën 35 miliardë dollarë ndihmë ushtarake gjatë vitit, përfshirë 25.4 miliardë nga Shtetet e Bashkuara.
Të marra së bashku, ndihma dhe shpenzimet e Ukrainës për ushtrinë e saj ishin të barasvlershme me 91 për qind të shpenzimeve të Rusisë.
SHBA-ja shpenzuesja më e madhe për ushtri në mesin e shteteve të NATO-s
SIPRI tha se më 2023, shpenzimet e të 31 anëtarëve të NATO-s arritën në 1341 miliardë dollarë, shifër e barasvlershme me 55 për qind të shpenzimeve botërore ushtarake.
Shpenzimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara u rritën për 2.3 për qind dhe arritën në 916 miliardë dollarë më 2023. Kjo shifër paraqet 68 për qind të shpenzimeve të përgjithshme ushtarake të NATO-s.
Sipas SIPRI-t, shumica e anëtarëve të NATO-s nga Evropa rritën shpenzimet e tyre ushtarake. Shpenzimet e përbashkëta të tyre paraqesin 28 për qind të shpenzimeve të NATO-s, apo shifra më e lartë në një dekadë. Katër përqindëshi i shpenzimeve të mbetura, u përkasin Kanadasë dhe Turqisë.
Shpenzimet ushtarake të Polonisë – shteti i 14-të në botë me shpenzimet më të larta – ishin 31.6 për qind, pas një rritje prej 75 për qind mes viteve 2022 dhe 2023. Ky shtet ka përjetuar rritjen më të madhe vjetore të shpenzimeve ushtarake në mesin e shteteve evropiane.
“Për shtetet evropiane të NATO-s, dy vjetët e fundit të luftës në Ukrainë kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore perspektivën e sigurisë”, tha Lorenzo Scarazzato, hulumtues në Programin e Shpenzimit dhe Prodhimit të Armëve në SIPRI.
“Ky ndryshim në perceptim të kërcënimit reflektohet në rritjen e ndarjes së BPV-së që drejtohen nga shpenzimet ushtarake, me objektivin që të shpenzohen 2 për qind e BPV-së në NATO, objektiv që gjithnjë e më shumë shihet si bazë e jo si një prag për t’u arritur”.
Një dekadë pasi anëtarët e NATO-s u zotuan se do të arrinin objektivin e 2 për qind të BPV-së për shpenzime ushtarake, 11 nga 31 shtetet e NATO-s arritën apo tejkaluan këtë nivel gjatë vitit 2023 – shifra më e lartë e arritur ndonjëherë.
Një tjetër objektiv – që të paktën 20 për qind e shpenzimeve ushtarake t’iu dedikohej “shpenzimeve për pajisje” – u arrit nga 28 shtete të NATO-s më 2023. Ky cak, më 2014 ishte arritur vetëm nga shtatë shtete.
Kina detyron fqinjët të rrisin shpenzimet ushtarake
Kina, shpenzuesja e dytë më e madhe në botë në ushtri, ndau 296 miliardë dollarë për ushtrinë më 2023, apo 6 për qind më shumë se vitin paraprak. Ky ishte viti i 29 me radhë që Kina rriti shpenzimet për ushtrinë. Shpenzimet e Pekinit në ushtri përbëjnë gjysmën e shpenzimeve në mbarë rajonin e Azisë dhe Oqeanisë. Disa fqinj të Kinës kanë lidhur rritjen e shpenzimeve të tyre ushtarake me ato të Kinës.
Sipas raportit të SIPRI-t, Japonia më 2023 shpenzoi 50.2 miliardë dollarë, apo 11 për qind më shumë. Sa i përket Tajvanit – ishullit vetëqeverisës që Kina pretendon se është pjesë e saj – shpenzimet ushtarake u rritën për 11 për qind po ashtu, duke arritur në 16.6 miliardë dollarë.
“Kina po drejton shumicën e buxhetit në rritje të ushtrisë për të forcuar gatishmërinë luftarake të Ushtrisë Popullore Çlirimtare”, tha Xiao Liang, hulumtues në SIPRI. “Kjo ka shtyrë shtetet sikurse Japonia dhe Tajvani që në mënyrë të ndjeshme të forcojnë kapacitetet e tyre ushtarake, një trend që do të rritet edhe më shumë në vitet në vijim”.
Lufta dhe tensionet në Lindjen e Mesme nxisin rritjen më të madhe në dekadën e fundit
Shpenzimet ushtarake në Lindjen e Mesme vlerësohet se janë rritur për 9 për qind apo 200 miliardë më 2023. Kjo është rritja më e madhe vjetore që rajoni ka përjetuar në dekadën e fundit.
Shpenzimet ushtarake të Izraelit – shteti i dytë me shpenzimet më të mëdha në rajon pas Arabisë Saudite – u rritën për 24 për qind vitin e kaluar, duke arritur në 27.5 miliardë dollarë. Kjo rritje kryesisht u nxit nga ofensiva në shkallë të gjerë në Gazë që Izraeli nisi në tetor, pas sulmit në jug të Izraelit që kreu Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Rritja e madhe e shpenzimeve ushtarake në Lindjen e Mesme më 2023 reflekton një ndryshim të shpejtë të situatës në rajon, nga përmirësimi i raporteve diplomatike mes Izraelit dhe disa shteteve arabe në vitet e fundit deri te shpërthimi i luftës në Gazë dhe frikës se konflikti do të zgjerohet në rajon”, tha Diego Lopes da Silva, hulumtues i lartë në SIPRI.
Irani, armiku i përbetuar i Izraelit, është shteti i katërt me më së shumti shpenzime ushtarake në Lindjen e Mesme më 2023, me total prej 10.3 miliardë dollarësh. SIPRI tha se sipas të dhënave të qasshme, buxheti i ndarë për Gardën Revolucionare Islamike u rrit nga 27 për qind sa ishte më 2019, në 37 për qind më 2023.
Shpenzimet ushtarake në Amerikën Qendrore dhe Karaibe
Shpenzimet ushtarake në Amerikën Qendrore dhe Karaibe më 2023, sipas SIPRI-t, ishin 54 për qind më të larta krahasuar me vitin 2014. Rritja e madhe e krimit ka detyruar disa shtete në këto rajone të përdorin forcat ushtarake kundër bandave kriminale.
Shpenzimet ushtarake në Republikën Domenikane u rritën për 14 për qind, në përgjigje të dhunës në rritje të bandave në Haitin fqinj. Shpenzimet ushtarake të Republikës Dominikane janë rritur me shpejtësi që nga viti 2021, kur u vra presidenti haitian, Jovenel Moise, dhe zhytën Haitin në një krizë të thellë.
Në Meksikë, sipas raportit të SIPRI-t, shpenzimet arritën në 11.8 miliardë dollarë më 2023, që përkthehet në një rritje prej 55 për qind krahasuar me vitin 2014. Buxheti i ndarë për Gardën Kombëtare – një forcë ushtarake që përdoret në aktivitetet kundër bandave kriminale – u rritën nga 0.7 për qind të shpenzimeve të përgjithshme ushtarake të Meksikës më 2019, kur u krijua kjo forcë, në 11 për qind më 2023.
“Përdorimi i ushtrisë për të shtypur dhunën e bandave është një trend në rritje në këtë rajon për vite të tëra, teksa qeveritë ose nuk janë në gjendje që ta adresojnë problemin duke përdorur mjete konvencionale ose preferojnë një përgjigje të shpejtë, që shpesh është më i dhunshëm”, tha Diego Lopes da Silva, hulumtues i lartë në Programin për Shpenzime Ushtarake dhe Prodhimin e Armëve në SIPRI./REL