Rreth 150 mjekë lanë punën gjatë vitit 2023

 

 

Rreth 150 mjekë janë larguar nga vendi i punës vetëm në vitin 2023, sipas Odës së Mjekëve. Kurse gjatë këtij viti, 17 tjera kanë kërkuar dokumentin e pastërtisë etiko-profesionale, që nevojitet për punësim në Perëndim.

Arsyet e largimit thuhet të jenë kushtet jo të mira të punës dhe pagat e ulëta.

Ish-ministri i Shëndetësisë, tash deputet i Lidhjes Demokratike, Armend Zemaj, fajin për këtë e hedh te qeveria aktuale.

“Qeveria më shumë ka qenë e interesuar të ndërhyjë dhe imponoj njerëz nëpër Klinika dhe spitale të cilët kanë qenë në ndërrime e largime të mëdha, sesa përfaqësim të denjë dhe menaxhim të mirë të institucioneve shëndetësore. Nga kjo klimë ka vazhduar edhe ikja sidomos nga mosplotësimi i kushteve të punës në pjesën e infermierisë e mos të flasim për mjekët ku ikja e tyre është në rritje edhe këtë vit fatkeqësisht nga kjo gjendje që krijuar viteve të fundit”, tha Zemaj.

Përveç kapaciteteve njerëzore, deputeti i Aleancës, Shemsedin Dreshaj, thotë se po mungojnë edhe investimet në sektor.

“Ndërsa sa i përket sektorëve të ndjeshëm, që e brengosin komplet qytetarin dhe shoqërinë e vendit, siç e sheh mundësia siç është arsimi, siç është infrastruktura, siç janë projektet kapitale, kjo qeverisje nuk ka treguar efikasitetin e duhur, as për së afërmi atë çka e shprehin”, tha Dreshaj.

Ndërsa Bekim Haxhiu i Partisë Demokratike, po e kritikon pushtetin edhe për vonim të miratimit të ligjeve që lidhen me shëndetësinë.

“Dështim në miratimin e strategjisë për shëndetësi, për tri vite nuk kanë qenë të aftë të miratojnë një strategji për shëndetësisë, për tri vite nuk kanë qenë të aftë që dy ligjet bazike për shëndetësi të cilat i kanë proklamuar vetë. Deri sa nuk kanë qenë të aftë të miratojnë as ligj për tri vite si mund të presim nga këta që mund të bëjnë diçka tjetër”, tha Haxhiu, raporton ATV.

Dy javë më parë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha para komisionit parlamentar se gjatë këtij viti synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në spitale, derisa paralajmëroi se së shpejti do ta nis edhe ligjin e ri për sigurime shëndetësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d