Rrëfimi i snajperistit britanik që shërbeu në Kosovë: Çfarë kam parë ishte një makth

 

 

Veterani i ushtrisë britanike, Craig Harrison, ka rrëfyer për eksperiencën e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pavarësisht se ai mori pjesë në shumë luftëra, shërbimi në Kosovë i la gjurmët më të thella. 

Harrison, ndryshe njihet si njëri prej snajpersitëve më vdekjeprurës në botë.

Ai për një kohë  mbajti edhe rekordin për vrasjen më të largët të konfirmuar me snajper në luftime, në një distancë prej 2,475-metrash, ku Harrison vrau një kryengritës taliban në Afganistan.

Snajperisti britanik, ka shërbyer si ushtar në luftërat në Irak, Afganistan, Bosnje si dhe në Kosovë.

Ai ka rrëfyer kujtimet e tij nga lufta e fundit në Kosovë.

“Kur ne erdhëm në Prishtinë në qershor të vitit 1999, e mbaj mend se qyteti në atë kohë ishte bombarduar rëndë. Shumë qytetarë ishin të frikësuar dhe mbylleshin në shtëpitë e tyre nga forcat serbe. Kur ne erdhëm aty, forcat serbe u larguan nga Prishtina për në pjesën veriore të vendit në kufi me Serbinë. Më pastaj misioni ynë ishte që ta kontrollojmë kufirin edhe të siguroheshim që ushtria serbe të mos kthehet më. Ndërkohë ne shkuam nëpër shumë fshatra në Kosovë, të cilat ishin të zbrazura dhe zakonisht aty kishim mbetur vetëm gratë pasi që burrat i kishin vrarë. Në fshatra kishin mbetur edhe disa serbë, të cilët na gjuanin me gurë dhe fshiheshin thellë në male, derisa e kuptuan se lufta kishte përfunduar. Ne po vazhdonim të qëndronim aty vetëm për t’iu ndihmuar qytetarëve të Kosovës, të cilët ishin në gjendje të tmerrshme dhe e kam shumë vështirë ta përshkruaj” , ka thënë ai.

Pavarësisht se ka qenë i përfshirë në shumë luftëra, Craig Harrison, thotë  se ajo e Kosovës e la me trauma.

“E mbaj mend kur shkuam me një shkollë vetëm pak jashtë Prishtinës, ku donim të bënim një bazë për ekipin tonë. Së pari duhet ta pastronim vendin sepse dyshonim se aty mund të kishte mina dhe mjete të tjera të rrezikshme. Ishte një korridor shumë i gjatë dhe kishte shumë dhoma. Në filluam t’i kontrollonim të gjitha dhomat një nga një, dhe e mbaj mend se kishte shumë gjak. Por kur ne mbërritëm tek dhoma e fundit, aty ishin gjashtë apo shtatë gra të zhveshura që ishin mbajtur pengje nga serbët. Gjendja e tyre ishte e tmerrshme, ato ishin te mbuluara me gjak në një dhomë të errët dhe gjëja e fundit që ato do donin të shihnin ishin disa ushtarë më armë. Prandaj ne i larguam të gjitha armët tona dhe situatën e lamë në dorën e një ushtarake femër, në mënyrë që ajo t’i qetësonte. Unë kam qenë në zona të ndryshme lufte, si në Irak ashtu edhe në Afganistan, por çfarë kam parë në Kosovë ishte me të vërtetë një makth. Në Kosovë e mendova se si qeniet njerëzore mund t’ia bënin këtë qenieve njerëzore. Nuk kam fjalë të përshkruaj me atë që u përballëm atje”, thotë snajperisti britanik.

“Nuk kam qenë më asnjëherë në Kosovë që nga mbarimi i luftës dhe do doja ta shihja sa shumë ka ndryshuar tani. Kjo më pëlqen më së shumti tek njerëzit, të cilët gjejnë forcë për t’u kthyer dhe për ndërtuar sërish diçka të mirë pavarësisht të kaluarës tragjike. A nuk është diçka fantastike, ju tani jeni një shtet i pavarur. Më vjen shumë mirë që sado pak kemi kontribuar që ju ta fitoni pavarësinë, ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim edhe në të ardhmen gjithmonë”, thotë ai për Tëvë 1.

Harrison ka shërbyer në Kosovë në kuadër të KFOR-it britanik, në regjimentin “Blues and Royals”.

Për shkak të shumë luftërave, Harrison zhvilloi çrregullime të stresit post-traumatik dhe u largua nga ushtria britanike në vitin 2014.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d