Më 19 maj të vitit 1999 në burgun famëkeq të Dubravës, kur serbët mbanin në arrest qindra shqiptarë, kishte fillura mizoria e ushtarëve dhe policëve serbë kundër të burgosurve shqiptarë, shkruan Prishtina Sot.
Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999. Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.
Rrëfimi i të mbijetuarit të masakrës së Dubravës që është dëshmia e gjallë e përjetimit të tmerrshëm që ndodhi në Dubravë. Isa Topallaj nga fshati Baicë komuna e Drenasit ka rrëfyer dhe nuk ka hezituar asnjëherë që ta tregojë me detaje tmerrin që ka perjetuar në masakrën e Dubravës, shkruan Prishtina Sot.
Duke filluar të tregojë për atë ditë dhe natë të tmerrshme i mbylli sytë për një moment sikur e paramendoi atë fotografi që e mbanë në kokë të rëndë dhe të pa fshirë tash e sa vite pas lufte, fillon të tregojë historinë duke mbledhur forcë pasi kujtimet dhe ai tmerr është ende i freskët në kokën e tij. Në sy të tij ende pa folur u kuptua gjithcka pasi sytë i ishin të mbushur me lotë dhe tregonin sa shumë dhimbje dhe vuajtje ka kjo histori brenda vetës që vetë Isa Topallaj është dëshmitar i gjallë i tmerrit në Dubravë, shkruan Prishtina Sot.
Ky është rrefimi i plotë nga i mbijeturi i masakrës që ndodhi në Dubravë Isa Topallaj:
Isë Topallaj, ishte djaloshi 29 -vjeçar nga Baica e Drenasit, ushtar i UÇK-së, i zënë rob lufte nga forcat serbe, e kishte përjetuar ferrin e burgut të Dubravës dhe kishte mbetur gjallë, ndonëse me shtatë plagë të rënda në trup.
Udhëtimi i tij nëpër shtresat e ferrit nuk përfundon këtu, “edhe pse shokët na kanë ra për fytyre dhe na kanë mbuluar me batanije”. Për të pason tortura në Spitalin e Prishtinës, që gjatë bombardimeve të NATO-s ishte shndërruar në një mundimtore për shqiptarët e plagosur; pastaj mbajtja nëpër kampet e përqendrimit në Lipjan dhe në Zabellë të Pozharevcit, e më në fund para gjyqit në Nish, prej nga del i gjallë dhe kthehet në familjen e tij. Isa i mbijetoi të gjitha dhe tashti i vjen më së rëndi rezignimi nga ana e strukturave të dala nga lufta: “Askush nuk u interesua për fatin tim, a jam gjallë, a mund të ngrihem më në këmbë, a kam çka të ha…!?”
Ishte 27 shtatori i 1998-ës, kur zihet nga forcat serbe. Kishte mungesë armatimi dhe ende nuk kishte siguruar armë për vete. Deri atëherë ishte shërbyer me armën e një shoku të tij. Atë ditë ishte i paarmatosur, në mal së bashku me luftëtarë dhe popullsi civile. Me shumë fshatarë tjerë ishte arrestuar dhe ishte dërguar në Prishtinë duke u akuzuar për transport armësh nga Shqipëria në Kosovë. Kështu ishte dërguar në Burgun e Lipjanit, ku pas më se katër muajsh ishte transferuar në Burgun e Dubravës, në Istog.
Isa ka qenë vullnetar i UÇK-së. Më 1998 ka shërbyer në Gllogjan, nën komandën e komandantit Shaban Shala; betimin e ka dhënë para komandantit të Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj. Ai ka marrë pjesë në luftime direkte me forcat serbe në Baincë dhe për këtë i ka dëshmitë e dhjetëra bashkëfshatarëve. Mirëpo, askush nuk di të thotë përse u krijua një qëndrim indiferent ndaj tij nga ana e bashkëluftëtarëve të tij, që Isës nuk i njihet ende statusi i ushtarit të UÇK-së.
Isa ishte rob klasik i luftës… Por, kjo nuk i bëri përshtypje askujt nga strukturat e UÇK-së, sot të TMK-së, të Shoqatës së Invalidëve të Luftës etj. Plagët që Isa i mori në Dubravë janë çmim për lirinë e Kosovës…
Torturat që kishte përjetuar në Prishtinë dhe në Lipjan janë shumë të vogla në krahasim me atë që ka përjetuar në Burgun e Dubravës. Atje fillon rrëfimi i tij plot tmerr.
“Pas bombave të NATO-s, mbi burgun e Dubravës më 19 dhe 21 maj 1999, gardianët serbë na lanë të mbyllur neve e vetë ikën jashtë burgut. Ne i thyem dyert dhe dolëm jashtë e u fshehëm pas bredhave, pas pavijoneve, në puseta”, fillon të rrëfejë edhe një dëshmitar i Masakrës së Dubravës, Isë Topallaj.
“Në Dubravë 22 maji ishte dita që ne e zbardhëm në qiellin e hapur. Bombardimet pushuan, ndërsa një i uniformuar na urdhëroi të rreshtohemi të gjithë, aty në oborr. Por, ende pa u rreshtuar mirë, mbi ne filluan të gjuajnë me një arsenal të gjithfarshëm armësh, më armë të rënda, me minahedhës, granata, bomba dore e më vonë edhe me mitralozë dhe automatikë… Posa kanë sulmuar për herë të parë, u thashë shokëve shtrihuni, dhe vetë u rrëzova për tokë e mbi mua ranë mbi dhjetë vetë”, shkruan Prishtina Sot.
“MË KISHIN RA PËR FYTYRE DHE MË KISHIN LËNË PËR TË VDEKUR TË MBULUAR ME BATANIJE…”
Aty kishin vdekur Dan Leku, Zejnullah Elshani, Bajram Kiqina… të cilët Isa i kishte njohur.
“Aty u plagos edhe Faik Topalli, të cilit desha t`i ndihmoja, se vetë isha ende i paplagosur, por posa jam ngritur pak u plagosa rëndë në bark. U shtriva në shpinë, e në çast më ranë dy pjesë të granatës në gjoks dhe m`u ndërpre frymëmarrja. E shtrëngova barkun që t`i ndali dhimbjet, duke u ulur, por u plagosa edhe në qafë. E ngrita dorën ta mbaja plagën e porsafituar, kur më rrokën në krah plumbat dhe m`u duk se m`u këput krahu. Atëherë jam shtri për tokë dhe kam qëndruar i palëvizshëm, derisa ata vazhdonin të gjuanin pandërprerë dhe e nuk shihej më dot asgjë, përveç tymit të zi. Unë e kam humbur vetëdijen e kur më kanë thirrur shokët nuk i kam dëgjuar”, tregon për tragjedinë e përjetuar Isa, që në shekullin XXI na kujton legjendat e vjetra shqiptare, si atë të Gjergj Elez Alisë.
Shokët kanë menduar se ai ka vdekur dhe pas pushimit të asaj breshërie sulmesh, e kanë renditur në radhë me kufomat tjera të vrara. Por, Faiku që kishte pesë plagë në trup nuk kishte pranuar ta tërheqin shokët pa Isën, duke u përpjekur t’ua shpjegojë atyre se Isa është i gjallë.
“Kur më kapi për krahun e plagosur Fadil Topalli, unë kam bërtitur: ‘Po ma këput krahin’”, rrëfen Isa, por atij nuk i kujtohet ai moment vetëm se shokët ia kanë rrëfyer më vonë.
Bislim Zogaj, një teknik medicinal, Isës dhe shumë të plagosurve tjerë u ka ndihmuar duke ua lidhur plagët qoftë edhe me këmisha të trupit.
“Pas dy ditësh erdhën shkiet dhe na dërguan në sallën e sportit, në dritaret e të cilës sollën minahedhës e pushkëmitralozë dhe na thanë se kur të vijë NATO të na sulmojë ne, ne juve do t’ju çojmë në ajër. Na thoshin se jeta juaj është në pyetje për pesë minuta. Gjithashtu na thoshin se mund të përshëndeteni me shokë, e kur ne fillonim të përqafoheshim me njëri-tjetrin duke u hallashtisur, ata qeshnin si të tërbuar. Por, pas 3-4 orësh u erdhi urdhri që të mos na vrasin, por të na transferojnë diku tjetër”.
NË SPITALIN E PRISHTINËS HAPESHIN PLAGË TË REJA
Kështu, ata që mbetën gjallë në Dubravë, serbët i transferojnë në burgun e Lipjanit, ku të plagosurve u japin të pinë një lloj “pluhuri të bardhë”, ndoshta ndonjë lloj droge, me të cilin u pushojnë dhimbjet e atyre plagëve aq të rënda. Isa tregon se pas pirjes së atij pluhuri, nuk ka ndjerë më kurrfarë dhimbjesh, bile vetëm ka qeshur dhe ka kënduar!?
Ata që kishin qenë tepër rëndë të plagosur, me një minibus i kishin sjellë në Prishtinë, kinse për t’ua shëruar plagët.
“Në ora 15:00 na jepnin injeksione, e në ora 18:00 vinin Policia e na rrihnin. E, kur infermieret fillonin britmën e tyre, vinin gardianët e burgut kinse për t`i larguar policët dhe paramilitarët që kishin vërshyer spitalin”, shprehet i tensionuar Isa, duke mos harruar të tregojë se Policia kur hynte kërkonte sidomos ata që ishin nga Aqareva, Bainca, Llapushniku… ku, sipas Isës, serbët kishin pësuar humbje të mëdha dhe tani donin që të hakmerreshin te të plagosurit.
Pas dhjetë ditësh të kaluara në spital, ku më shumë kishin marrë plagë të reja sesa që kishin shëruar ato që kishin, i kthejnë sërish në Lipjan. Isës i kujtohet kur rrobat ia kishin bërë copë-copë në spital, ngase nga plagët e marra nuk mund t`i hiqte nga trupi. E, kur ishte kthyer në Lipjan, një shok ia kishte dhënë ‘maicën’ e tij, ngase xhemperi ia ngacmonte plagët.
“Ajo që më ka lënduar më së shumti ishte një grua serbe e cila më ka rrahur ashtu të plagosur me çantën e saj, sepse unë jam burrë, drenicak dhe për mua është e rëndë të të rrahë një grua. Pra, kjo m’u pat bërë kompleks…”, thotë Isa dhe në këto çaste për të parën herë nis të qeshë.
10 qershori 1999 do t’i gjejë ata në rrugë për në Serbi, pikërisht në burgun Zabella te Pozharevcit. Atje do të qëndrojë deri më 7 dhjetor 1999, kur do ta dërgojnë për në burgun e Nishit. Më 24 dhjetor do të bëhet gjykimi i parë kundër i tij, ku ai dënohet me 21 muaj burg, të cilat me shtatë plagë në trup arrin t`i mbajë deri në fund dhe ia del të kthehet te familja, i bindur se do të mbijetojë, i bindur se në shtëpi do ta gjejë vogëlushen e tij, Mirjetën, do t’i gjejë të gjithë ashtu siç i kishte ëndërruar prej ferrit të papërshkruar ku ka lënë shokë të shumtë pa të cilët ende nuk e ka ndjerë aromën e lirisë.
Asgjë nuk i duket më e rëndësishme, më me vlerë, as operimi dhe shërimi i plagëve, as rindërtimi i shtëpisë… Asgjë pa shokët nuk vlen për të, rrëfeu mes lotësh Isa Topallaj.shkruan Prishtina Sot.
Isa Topallaj tash është baba i dy fëmijëve Mirjeta dhe Taulant Topallaj, nuk ndalet asnjëherë për me të mirën e familjës dhe është bërë shembull për të tjerët.
Më e rënda është se ende për këtë masakër nuk është dënuar askush, shkruan Prishtina Sot.