Gazetari kroat, Zoran Kusovac, në 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s ka sjellë në kujtesë arritjen e refugjatëve shqiptarë të Kosovës në Mal të Zi më 1999.
Ai shkroi edhe për rolin kyç që kishin disa zyrtarë malazezë në pranimin e refugjatëve në rrethana të vështira nën kërcënimin e regjimit serb. Në këtë përvjetor ai kërkon nga krerët e Kosovës dhe të Malit të Zi që ata të nderohen dhe t’u njihet kontributi.
Në një postim të gjatë në X, Kusovac ka zbuluar biseda edhe të presidentit malazez, Milo Gjukanoviq, që shërbente në këtë post edhe në vitet 1998-2002, si dhe të zëvendëskryeministrit Dragisha Burzan.
Zoran Kusovac është një analist gjeopolitik dhe i sigurisë, korrespondent lufte dhe producent i cili ka ndjekur konfliktet në Europë, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Azinë Qendrore për gati katër dekada.
Rrëfimi i tij i plotë:
NATO bombardoi Serbinë më 24 mars. Shumica e gazetarëve të huaj ishin në Beograd pasi të gjitha objektet e transmetimit ishin në duart e Millosheviqit. Disa ditë më parë kisha telefonuar presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Ai më pyeti nëse mund të sillja një lidhje satelitore meqë të gjithë në Beograd ishin të kontrolluar nga regjimi serb. Sky Neës nuk mund të dërgonte një të tillë pasi sigurimi nuk do ta mbulonte atë, kështu që gjeta operatorin privat SNG në Londër dhe i shpjegova se Mali i Zi do t’i jepte ‘DISH armed protection’ (mbrojtje) dhe ai do të bënte shumë para si i vetmi ‘uplink’ atje. (Jo, nuk kam marrë asnjë qindarkë prej tij, ai duhet të ketë bërë 1.000.000). Arritëm në kryeqytet, Podgoricë, më të 23-in. Gjukanoviq na dha një përcjellje të fortë policore pasi kundërzbulimi ushtarak serb donte të më arrestonte për raportimin tim të mëparshëm mbi UÇK-në.
Më 25 mars isha duke darkuar në Hotel Crna Gora, AKA Casablanka që ishte me plot me spiunë, me zëvendëskryeministrin Dr Dragisha ‘Gisha’ Burzan, një i njohur i vjetër. Ai ishte fizikan bërthamor, anëtar i SPD-së, (Partia Socialdemokrate e Malit të Zi). Rreth orës 20:00 i ra celulari.
“Bëre mirë”, tha ai “Më lajmëroni nëse vijnë më shumë”. Ai më tha “Serbët po i dëbojnë me dhunë shqiptarët nga Kosova. 150 kanë mbërritur në Rozhaje [qyteti i parë në Mali i Zi nga Peja] në 2 orët e fundit”.
Shefi i policisë ishte nga partia e tij, shpjegoi ai, dhe ai tashmë i futi refugjatët në shkollat lokale dhe organizoi ushqim dhe batanije. Një orë më vonë një telefonatë tjetër. “Tashmë 1000” njoftoi Gisha. Në mesnatë 2000, shefi i policisë tha se shkolla ishte plot, nuk kishte më vend, batanije dhe ushqime. Por ai kishte një problem gjithnjë e më të madh: “Kolonel i Ushtrisë Serbe thirri të na thotë se ne nuk duhet të pranojmë refugjatë. Ne i flakim jashtë, ju i mirëprisni. A duhet të vijmë që t’i dëbojmë për në Shqipëri?”. Shefi pyeti se çfarë të bëjë. “Vazhdo t’i marrësh, përpiqu të shmangësh përleshjen me ushtrinë, por qëndro i palëkundur”.
Në orën 1 të mëngjesit Gisha, duke pirë dojçin e tij të 10-të [pije e njohur në Mal të Zi ] thirri Gjukanoviq i cili pranoi: “Merrini të gjithë, ne do të dërgojmë ndihmë dhe përforcime policie, ushtria nuk do t’i prekë”. Në fillim të 26 marsit, më shumë se 4000 dhe vazhduan të vinin. Shefi i futi në fabrikën e tekstilit. I kërkova Gishës të vinte me ne në Rozhaje. Ne nuk mund të merrnim lidhjen me vete, por Londra do t’i intervistonte me telefon. Në pamundësi për të ardhur, Gisha na dha Ndihmës Ministrin e Jashtëm. Të shoqëruar nga 10 policë arritëm në Rozhajë në mesditë: qyteti prej 9,000 banorësh dyfishoi popullsinë e tij brenda një dite , deri në atë mbrëmje kishte pothuajse 8000 refugjatë. Ishte tensionuese por jo kërcënuese. Kosovarët padyshim u besuan nikoqirëve të tyre. Më në fund takojmë shefin e policisë: Shemso Dedeiq, ish-mësues. I qetë, i përmbajtur, sillte qetësinë, por i vendosur, me durim dhe me kohë për të gjithë.
“Kam vendosur pika kontrolli për të mos lejuar ushtrinë të provojë të bëjë ndonjë budallallëk. Të gjithë vendasit janë të mrekullueshëm, ata kuptojnë dhe ndihmojnë. Por së shpejti nuk do të jemi në gjendje t’i vendosim askund të ardhurit. Ne kemi nevojë për gjithçka: tenda, batanije, ushqim, kemi vetëm dru zjarri dhe ujë”.
Më pas na dërgoi në Qafë të Kullës. Rruga ngjitet nga 1100 në 1800 m të Rozhajes dhe më pas rënie e frikshme mbi shtigjet e Pejës në 500 m. Rruga e mbuluar me akull ishte e mbushur me traktorë, makina, kamionë, karroca kuajsh, madje edhe në këmbë. Ishte qetësi e frikshme, vetëm frymë dhe zhurma e traktorëve me naftë që luftonin për t’u ngjitur. Çdo automjet ishte i mbipopulluar, 3 ose 4 breza, shumë duke ngrirë në rimorkio të hapura, të gjithë me një përzierje frike dhe shprese në sytë e tyre”.
Ata nuk e dinin nëse do pranoheshin në Malin e Zi, kur ne e konfirmuam, ata u lehtësuan. Ne korrespondentët e luftës, të ngurtësuar duke parë skena të tilla, gumëzhinim duke mbledhur të dhëna, duke intervistuar, duke punuar. Por diplomati ynë i gjorë, Miodrag ‘Mishko’ Jovoviq, profesor i ekonomisë, u trondit, duke marrë frymë, duke qarë, duke përmendur fëmijët e tij, duke kërkuar ndonjë gjë në xhepa për të dhënë.
Kur e futa në programin Sky News në ‘satphone’ (pajisje që përdor infrastrukturën satelitore), ai u lut për ndihmë, duke e ndarë tronditjen dhe dhembshurinë e tij me gjithë botën. Ai vazhdoi të pyeste “si mund t’ua bëjë dikush këtë të tjerëve?”. Kur u kthyem në Rozhaje, shefi Dedeiq na tha se forcat ajrore serbe kishte bombarduar një zonë aty pranë, por meqë po errësohej ai nuk na çoi atje dhe nuk dërgoi patrullë. Të nesërmen patrulla e policisë arriti në fshatin e bombarduar dhe gjeti një fëmijë malazez të vrarë. 3 javë më vonë, disa km larg Ushtria vrau 18 (ose 22) kosovarë duke ikur në këmbë në rrugë të ndryshme. Nuk u zgjidh kurrë “përmes mungesës së provave”.
Rozhaja përfundimisht priti 50-60,000 refugjatë shqiptarë të Kosovës, disa qëndruan gjatë gjithë luftës, të tjerë kaluan në kampe më të mira.
Tani në përvjetorin e 25-të i kërkoj autoriteteve të Kosovës dhe Malit të Zi të njohin përfshirjen vendimtare të Dr Dragisha Burzan dhe Shemso Dedeiq. Iniciativa, vendosmëria, vullneti dhe guximi i tyre shpëtuan mijëra jetë.
“Ju lutem, Albin Kurti, Vjosa Osmani, Mickey Spajiq, Jakov Milatoviq. Fund”.