Vrasja në Gllogjan në fund të vitit 2021 tronditi tërë vendin. Pas një sulmi në drejtim të një autobusi me udhëtarë në atë fshat mbetën të vrarë tre persona, mes tyre dy të mitur, teksa edhe një tjetër ishte plagosur. Të akuzuar për këtë vrasje janë babai Halil Mehmetaj, me dy djemtë e tij Kreshnik e Kastriot Mehmetaj.
Ish-hetuesi i Krimeve të Rënda, Mehdi Kozhani ka hetuar këtë rast të rëndl, ku mes emocioneve shpalos detaje se si planifikua dhe u vranë nxënësit në Gllogjan nga familja Mehmetaj, njëherit duke treguar edhe motivin.
“Unë kam qenë edhe pjesëtar i luftës, UÇK. E kam lënë Zvicrën dhe kam ardhë në Kosovë, përmes Shqipërisë. Jam përball me luftën. Mirëpo në luftë je përballë me armik, e ke ditë që të gjuan, vranë. Lufta është e tillë, me pasoja me humbje të familjes, shokëve, miqve. Mirëpo nuk e kam mendu kurrë që shkoj në një vendngjarje edhe siç kam pa fëmijë gjatë luftës të vrarë, të përballem edhe pas 20 viteve me një vendngjarje ku vriten fëmija në shtetin tonë, në Kosovën e pavarur. Jemi ballafaqu me atë sfidë. Jemi përballë me vendin e ngjarjes edhe pse ka pasur devijime nga mediat, kanë pengu hetimet sepse në hetime është më rëndësi që të ndiqen pistat e hetimit. Po dështove aty. Gjithëherë të anashkalohet rasti dhe përfundon keq. Kështu që iu dha konotacion të keq si akt terrorist. Nuk kishte të bëjë fare”.
“Ishte hakmarrje e paskrupullt e personave që janë të akuzum. Ata e kanë organizu atë vrasje, me dhembshuri e tham sepse vend kam fëmijë, familje. Ka qenë rast i trishtushëm. Sot ndjej keqardhje dhe dhimbje për atë rast, fëmija është i ndijshëm. Vendi i ngjarjes ka qenë i vështirë, ka qenë shi. Kemi fillu gradualisht, kemi pas pengesa. Hetuesi nuk është evliah, nuk është ai personi që me shkop magjik e zgjidh situatën, mirëpo gradualisht shkon duke i sistemu. Hetuesi e ka obligim që ti dëshmojë prokurorisë. Thelbi kryesor në shtet janë hetuesit. Ata e zbërthejnë një vepër penale, një dyshim”.
“Në bazë të provave, familja Mehmetaj janë ata që dyshohet se kanë kry vrasjen. Babai nuk është normal pjesëmarrës por shtytës, dy djemtë e tij e kanë kry vrasjen. Njëri prej tyre, Kastrioti është ekzekutuesi i rastit. Jemi të bindur që ata e kanë kry veprën penale”.
Kozhani tregon se familja Mehmetaj e kreu vrasjen për hakmarrje, pasi vajza e tyre që u vetëvra dyshohet se ishte në lidhje dashurie me shoferin e autobusit. Ish-hetuesi thotë se aty ka filluar konflikti mes tyre.
“Është dashur të trajtohet më mirë rasti i vetëvrasjes. Me iu qas më rigoroz. Mirëpo shtytjet në vetëvrasje janë pak problematike me u argumentu në gjykatë nëse një person e shtyn tjetrin me bë vetëvrasje. Kur e them hakmarrje mendoj se familja ka pas problem, e ka vajzën e vetëvrarë, shoferi i autobusit dyshohet se ka pasur lidhje me vajzën e tyre. Dhe tash këtu ka fillu konflikti”.