Rrëfehet ish-pjesëtari i FSK’së që la ushtrinë për shkak të kushteve

 

 

“Nuk është ideja që po ndahesh me institucionin, por [ndjenja] sikur po e braktis shtetin, po e lë keq”…

Kështu shprehet një ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili vendosi ta ndërpriste angazhimin në këtë institucion, pas disa vitesh shërbim.

Thotë se arsyet që e shtynë ta linte punën e ushtarakut, janë disa, por dominon mungesa e meritokracisë në rastet e avancimeve, e pastaj ambicia personale për zhvillim e mirëqenie.

“Lidershipi senior [në FSK] vjen më shumë nga lufta dhe jo nga një edukim formal siç e kemi pasur ne. Stili i lidershipit në organizatë është pak më klanor dhe më tradicional, nuk është i bazuar në parimet moderne”, thotë ish-pjesëtari i FSK-së për Radion Evropa e Lirë.

Duke dashur të mbetet anonim, ai kujton se iu deshën rreth dy vjet për të marrë vendimin e largimit nga FSK-ja – “më të vështirin në jetë”.

“Më mungon ushtria. Mënyra se si lidhesh me njerëz në ushtri, është diçka e papërsëritshme. Është vështirë të shkëputesh nga ushtria… aty lidhesh edhe ideologjikisht”, thotë ai.

Sot tregon se bën një prej punëve më të kërkuara në treg, të cilën nuk ka mundur ta bëjë brenda institucionit të sigurisë, dhe se gjeneron të hyra dukshëm më të larta.

Më shumë se 130 pjesëtarë të FSK-së u larguan gjatë vitit të kaluar

Dorëheqjet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës shënuan shifra më të larta në dy vjetët e fundit, krahasuar me vitin 2021.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave që siguroi REL-i nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, u miratua largimi i 134 ushtarakëve.

Ata e lanë vullnetarisht Forcën dhe një pjesë e tyre e gjeti veten në institucione të tjera, përfshirë Policinë e Kosovës, thotë ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, shqetësuese është “edhe nëse një person largohet”.

Ligji për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës e parasheh ndërprerjen vullnetare të shërbimit.

Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se cila është strategjia për mbajtjen e personelit dhe si i adreson ajo ankesat e pjesëtarëve të FSK-së.

Por, ministri Maqedonci thotë se numri i dorëheqjeve nuk e rrezikon procesin e transformimit të FSK-së në ushtri.

“Është numër i madh [i largimeve nga FSK-ja], por duke pasur parasysh interesimin e qytetarëve tanë për t’iu bashkuar FSK-së, në aspektin operacional, nuk është që i shkakton dëm të pariparueshëm dalja e një pjese të njerëzve”, thotë Maqedonci.

Sipas tij, gjatë vitit të kaluar, FSK-ja ka pranuar 600 rekrutë të rinj.

“Për ne mbetet jetik interesimi i madh i qytetarëve për t’iu bashkëngjitur FSK-së”, thotë ai.

“I kemi edhe pesë vjet përpara për të përmbushur numrin e nevojshëm [për ushtrinë]”, shton ministri, duke iu referuar afatit për përmbushjen e planit të transformimit.

Ky proces i transformimit të FSK-së në ushtri nisi në vitin 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet. Deri në fund të tij, më 2028, FSK-ja pritet t’i ketë mbi 7.500 pjesëtarë aktivë dhe rezervistë nga mbi 4.000 sa i ka aktualisht. Po ashtu, pritet të ketë përgjegjësi shtesë në ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, si dhe në ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile, mes tjerash.

Statistikat e Ministrisë së Mbrojtjes tregojnë se gjatë tre vjetëve të fundit janë rekrutuar 1.836 ushtarë dhe kadetë të rinj në FSK.

Aktualisht, numri i pjesëtarëve është 4.141, sipas Ministrisë së Mbrojtjes. Shifra, sipas saj, gati se është dyfishuar gjatë kësaj periudhe./ R

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d