Rrahja e doktorit Karaxha: Arrestohen babai, burri e kunati i 35-vjeçares që vdiq në ordinancën në Malishevë

 

 

Gazeta raportoi mbrëmë se doktori Xhavit Karaxha nga Malisheva ka qenë cak i sulmit nga 3 familjarë të 35-vjeçares, që humbi jetën vitin e kaluar pasi nxori një dhëmb në ordinancën e tij. Hetimi për rastin nuk ka sjellë deri më sot asnjë rezultat inkriminues ndaj tij, por familja siç duket ka vendosur që ta marrë drejtësinë në duar.

Tre të dyshuarit kanë përfunduar në Polici dhe Sinjali merr vesh se bëhet fjalë për babain e viktimës, Hajzer Kryeziu, bashkëshortin Faton Shala dhe vëllain e tij, Agron Shala.Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Në një prononcim për Sinjalin, nga familja e Karaxhës kanë bërë me dije se gjithë ky rast i rëndë ndodhi në prani të nënës se doktorit teksa familja ishte në një restorant në Malishevë.

Sipas informacioneve të para, nëna e Karaxhës u përballë me sulmin ndaj të birit, në mes të restorantit – ku fillimisht e rrëzuan atë përtokë e doktorin filluan ta godasin.

“Kanë kërcënuar familjen në format më të rënda, s’kanë kursyer as gra e as fëmijë..” – tha i shqetësuar për Sinjalin një familjar i doktorit.

Karaxha i cili pësoi lëndime të rënda trupore përfundoi në Emergjencë për trajtim mjekësor e më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kujtojmë se një fakt me rëndësi sa i përket pacientes së ndjerë është se e njëjta ka qenë alergjike në anestezionin që i është dhënë dhe si rezultat i shokut anafilaktik kishte humbur jetën.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d