Raporti i Freedom House: Përmenden sulmi në Banjskë

 

 

Organizata e njohur Freedom House, ka publikuar raportin më të ri për nivelin e demokracisë në disa rajone të Evropës dhe Azisë. Në mesin e shumë temave të diskutuara në raport, është edhe Ballkani Perëndimor dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Raportet me Serbinë janë përmendur si problem më i madh i Kosovës në rrugën për demokratizim.

Në pjesën e raportit ku flitet për Ballkanin Perëndimor, theksohet për sulmin e grupeve kriminale serbe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gjithashtu edhe sulmi në Banjskë ku mbeti i vrarë, Afrim Bunjaku.

“Në Kosovë, mosmarrëveshja e gjatë me Serbinë rihyri në një fazë të përshkallëzimit të dhunshëm. Protestuesit serbë të Kosovës u përleshën dhe plagosën 30 trupa të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në maj, dhe persona të armatosur serbë organizuan një sulm në shtator që vrau katër persona, duke përfshirë një polic Kosovar”, thuhet në këtë raport.

Raporti përmend edhe Vettingun në drejtësi, duke theksuar se nuk dallon shumë nga modelet në Ukrainë dhe Moldavi.

“Qeveria që mori detyrën në Kosovë në vitin 2021 është përpjekur ta largojë vendin nga trashëgimia e konfliktit parlamentar dhe patronalizmit, duke promovuar një agjendë reformash të bazuar në sundimin e ligjit. Kryeministri Albin Kurti ka nisur një proces të ri vetingu për gjyqtarët, jo ndryshe nga ato në Ukrainë dhe Moldavi”, thuhet në raport.

“Por refuzimi i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës mbetet një pengesë e madhe për demokratizimin. Pavarësisht marrëveshjeve të arritura midis dy qeverive në fillim të vitit 2023, viti solli paqëndrueshmëri dhe një përshkallëzim të dhunës të nxitur pjesërisht nga lidhjet informale të Beogradit me grupet e krimit të organizuar”, thuhet më tutje.

Freedom House përmend kritikat e ndërkombëtarëve ndaj Kurtit.

“Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës reaguan ashpër ndaj qasjes së ashpër të Kurtit ndaj negociatave me Beogradin dhe mungesës së konsultimit të tij me komunitetin serb të Kosovës, duke komplikuar përpjekjet e qeverisë për t’u çliruar nga kjo sfidë e gjatë”, përfundon raporti në pjesën ku flitet për raportet Kosovë-Serbi.

Duke folur për situatën ndërkombëtare, raporti thekson përparimin e Ukrainës.

“E vetmja pikë relativisht e ndritur midis regjimeve hibride ishte Ukraina, e cila vazhdoi të bënte përparim të konsiderueshëm në ndërtimin e institucioneve gjyqësore dhe antikorrupsion dhe në hetimin aktiv të korrupsionit, përfshirë në ushtri. Ndërkohë, rezultatet për Hungarinë, Gjeorgjinë dhe Kosovën mbetën të pandryshuara, pavarësisht një viti të turbullt për shoqërinë civile dhe qytetarët e thjeshtë në këto vende”, thuhet në raport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d