Fillimi i muajit përcaktohet nga shikimi i gjysmëhënës, e cila shënon fillimin e muajit hënor islamik. Bota myslimane mbështetet në dëshmitë e shikuesve të hënës për të përcaktuar fillimin e Ramazanit.
Këtë vit, dita e parë e agjërimit pritet të jetë e enjtja, më 23 mars, me kusht që të shihet hëna e re në vende të ndryshme të botës.
Kalendari islamik – kalendari hixhri – bazohet në ciklet e hënës, që variojnë nga 29 në 30 ditë. Kjo është ndryshe nga kalendari gregorian, i cili bazohet në vitin diellor. Si rezultat, fillimi dhe mbarimi i Ramazanit mund të ndryshojnë nga një ose dy ditë çdo vit. Ndërsa, në raport me kalendarin diellor gregorian, muaji i Ramazanit lëviz nga 10 ditë për çdo vit.
Shikimi i hënës është një pjesë e rëndësishme e traditës islame për të përcaktuar ditët e rëndësishme. Shikimi i hënës ndërmerret nga astronomët dhe studiuesit fetarë në vende të botës. Në disa vende, shikimi i hënës bëhet me sy të lirë, ndërsa në vende të tjera përdoren teleskopë ose teknologji të tjera të avancuara.
Pasi të shihet gjysma e hënës, myslimanët e shënojnë atë si fillimin e Ramazanit dhe agjërimin e tyre njëmujor.
Fundi i Ramazanit shënohet sërish me shikimin e gjysmëhënës së ardhshme, e cila sinjalizon fillimin e Fitër Bajramit, një nga dy festat e mëdha të myslimanëve. Kjo është një kohë festimi, me vizita, bamirësi, dhënie dhuratash dhe shoqërim me familjen dhe miqtë.
Ramazani dhe bamirësia
Myslimanët në mbarë botën e shënojnë muajin e Ramazanit ndryshe, por disa praktika dhe zakone janë standarde në të gjithë botën islame.
Një nga aspektet më të rëndësishme të Ramazanit është agjërimi, që është edhe thelbi i këtij muaji. Gjatë muajit, myslimanët përmbahen nga ushqimi, pijet dhe nevojat e tjera fizike që nga lindja e diellit deri në perëndim. Kjo ka për qëllim t’i ndihmojë besimtarët të bashkëndiejnë me ata që kanë më pak fat dhe të inkurajojë vetëdisiplinimin dhe reflektimin shpirtëror.
Përveç agjërimit, myslimanët gjithashtu falen dhe angazhohen në vepra bamirësie dhe vullneti të mirë. Shumë xhami ofrojnë lutje dhe predikime shtesë gjatë muajit të Ramazanit.
Të rinj ose të moshuar, myslimanët e të gjitha moshave inkurajohen të lexojnë Kuran gjatë këtij muaji.
Namazi i taravisë është një aspekt tjetër i Ramazanit që u jep myslimanëve një mundësi për t’u afruar me Zotin dhe gjithashtu një mundësi për t’u shoqëruar ndërsa njerëzit mblidhen në xhami për të falur namaze të veçanta. Teravia është një lutje shtesë që kryhet gjatë muajit pas namazit të jacisë, një nga pesë namazet ditore të myslimanëve.
Bamirësia është gjithashtu thelbësore për Ramazanin dhe myslimanët inkurajohen të japin bujarisht për ata që kanë nevojë. Shumë xhami dhe organizata ofrojnë ushqim, veshmbathje dhe gjëra të tjera të nevojshme për të varfrit dhe nevojtarët gjatë muajit, dhe shumë myslimanë gjithashtu bëjnë donacione të veçanta për bamirësi gjatë kësaj kohe.
Ramazani është gjithashtu një kohë për familjen dhe komunitetin. Shumë myslimanë e hapin iftarin e tyre me familjen dhe miqtë, dhe është e zakonshme që xhamitë dhe organizatat e komunitetit të mbajnë vakte iftari, ku njerëzit mund të mblidhen së bashku për të hapur iftarin dhe për t’u shoqëruar.
Muaji Ramazan është një kohë e ripërtëritjes shpirtërore dhe e ndërtimit të komunitetit për myslimanët në mbarë botën. Është një kohë për t’u fokusuar në besimin, familjen dhe bamirësinë dhe për të reflektuar mbi vlerat që janë në zemër të Islamit.
Këto karakteristika e përcjellin Ramazanin edhe në trevat ballkanike. Ramazani në Ballkan, përveç rëndësisë fetare dhe shpirtërore, bart në vete edhe traditën kulturore e cila përcillet gjeneratë pas gjenerate.
Pse data të ndryshme?
Ekzistojnë dy pikëpamje për përcaktimin e hënës së re në jurisprudencën islame – ata që besojnë se Ramazani duhet të përcaktohet nga dukshmëria e gjysmëhënës së re me sy të lirë dhe ata që besojnë se matjet dhe llogaritjet shkencore janë të mjaftueshme.
Duke përdorur teknologji të avancuar dhe matje shkencore, mund të dihet se kur do të formohet gjysmëhëna. Nga ana tjetër, dukshmëria e gjysmëhënës së re me sy të lirë është e mundur vetëm 8-10 orë pas formimit të gjysmëhënës.
Aktualisht, shumë vende si Türkiye e përcaktojnë muajin bazuar në teknologjinë dhe llogaritjet shkencore, ndërsa të tjera si Arabia Saudite, Bangladeshi, Pakistani dhe India e përcaktojnë atë në bazë të dukshmërisë me sy të lirë.
Megjithatë, dijetarët islamë kanë deklaruar se të dyja mënyrat e shikimit të hënës janë të lejueshme dhe se njerëzit duhet të veprojnë sipas situatave të tyre lokale.