Mali i Zi do të dërgojë një delegacion në Kosovë për 17 shkurt. Zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj, nesër do të qëndrojë në Kosovë për të marrë pjesë në kremten e Ditës së Pavarësisë.
Ai ka njoftuar se qeveria e tij ka aprovuar vizitën për në Kosovë, derisa tha se ftesa i shkoi nga tre krerët më të lartë të shtetit.
“Në mbledhjen e sotme Qeveria aprovoi platformën qe të vizitoj Kosovën dhe të marr pjesë në kremtimin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Mali i Zi e ka njohur pavarësinë dhe vazhdon të ketë bashkëpunim shtetëror me Kosovën. Ftesa për pjesëmarrje në këtë solemnitet është dërguar nga presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryparlamentari Konjufca”.
Gjeloshaj tha se kjo konfirmon vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore midis dy shteteve.
“Në emër të Qeverisë së Malit të Zi do të uroj 16 vjetorin e pavarësisë drejtuesve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
“Shpenzimet e pjesëmarrjes së delegacionit malazez në festën solemne të Pavarësisë së Kosovës i bartë Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së Malit të Zi”, thuhet në njoftim e Qeverisë së Malit të Zi.
Gjeloshaj në qeverinë malazeze shërben edhe si ministër i Zhvillimit Ekonomik.