Mjekja Eriola Hoxha në një intervistë në ABC e Mëngjesit, foli për depresionin dhe kërkimin shkencor të bërë në Torino, që tashmë zbulon më shumë për këtë sëmundje.
Ajo shpjegoi se synimi është përdorimi i biomarkerave dhe se për momentin përdoren vetëm në kërkime shkencore.
Më tej tregoi se në Torino është vendosur prej 23 vitesh dhe se studimet e saj janë të fokusuara në proceset neurodegjenerative cerebrale.
“Depresioni është një sëmundje e rëndë dhe diagnoza bazohet në diçka që është objektive. Dhe jepet terapia që mjeku mendon që është më e mira. Një nga punët që kemi bërë kohët e fundit është marrja e gjakut dhe të dallojmë format e ndryshme të depresionit. Këtë e kemi bërë tek pacientët me mjekët psikiatër që kemi këtu në Torino. Ne jemi nisur nga trajtimet që bëhen tek pacientët me depresion dhe kanë si synim një molekulë që e ka emrin “gsk3”, është substrati i këtyre ilaçeve. Jemi nisur nga kjo proteinë për të parë se si në fillim është niveli i kësaj proteine tek pacientë pa trajtim dhe tek ato me trajtim. Problemi që ne kemi hasur është ndryshimi midis gjinive, midis moshave apo edhe sëmundjeve të tjera si diabet apo tiroideve, pra të bashkuara bashkë me depresionin”, ka thënë Hoxha.