Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e 7 majit ka marrë vendim për propozim-shkarkimin e prokurores së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Hava Krasniqi.
Sipas njoftimit të KPK-së thuhet se është miratuar raporti përfundimtar për vlerësimin e parregullt të performancës së një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Refuzoi kundërshtimin e parashtruar dhe miratoi Raportin përfundimtar për vlerësimin e parregullt të performancës së një (1) prokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me ç’rast mori vendim që propozimin për shkarkimin e tij ta dërgojë te Presidentja e vendit”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka bërë kërkesë në Komisionin për Vlerësim të Performancës së Prokurorëve, për vlerësim të parregullt (jashtëzakonshëm) të performancës së prokurores Hava Krasniqi, pas një gabimi të bërë nga kjo prokurore në një lëndë që e ka pasur në trajtim.
Komisioni ka vlerësuar që performanca e prokurores Krasniqi është e pamjaftueshme, ndërsa Raportin e vlerësimit të performances së saj e ka dërguar në KPK, ku kjo e fundit e ka miratuar.
Ndryshe, prokuroja Krasniqi ka qenë prokurore në rastin e Sebahate Morinës, për të cilën Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se i është shkelur e drejta për jetë.
Lidhur me këtë rast, KPK më 26 qershor 2023, kishte marrë vendim për zvogëlim të pagës 30% për një vit për prokuroren, ndërsa ky vendim i KPK-së ishte konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme më 1 gusht 2023, raporton Betimi për Drejtësi.