Prokuroria del me njoftim për vrasjen në Dobërçan të Gjilanit

 

 

Një person mbeti i vrarë mbrëmë në fshatin Dobërçan të Gjilanit, pasi i njëjti dyshohet se u godit disa herë me thikë nga një person tjetër.

Drejtori i Spitalit Rajonal në Gjilan, Arsim Emini dha detaje rreth këtij incidenti, ku sipas tij viktima është 29-vjeçar dhe i njëjti është dërguar në Emergjencë me shtatë plagë që dyshohet t’i jenë shkaktuar nga goditjet me mjet të mprehtë.

Burimet  bënë me dije se viktima është Armend Behluli, i cili nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.

Ndërkohë rastin e konfirmoi edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili tha se i dyshuari tashmë ka rënë në pranga.

Pas kësaj, Prokuroria Themelore në Gjilan ka dalë me njoftim për vrasjen e djeshme në fshatin Dobërçan të Gjilanit, ku thuhet se i dyshuari, D.T, është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria ka thënë se “dyshohet se më 16 Dhjetor 2023, rreth orës 21:00, në fshatin Dobërçan, komuna Gjilan, i dyshuari D.T., e ka privuar nga jeta viktimën A.B., duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit”.

Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë i të ndjerit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Poashtu, në njoftim thuhet se prokurori i shtetit brenda afatit ligjor ndaj të dyshuarit do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata kompetente në Gjilan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d