Borxhet prej qindra e mijëra eurove shumë shpesh kanë shkaktuar incidente, kanë eskaluar edhe në sulme, kërcënime serioze e madje edhe në rrëmbime. Moskthimi i të hollave jo rrallëherë i ka futur në telashe kryesisht të rinjtë, të cilët përfundojnë në Polici, duke kërkuar ndihmë.
Një rast i tillë që dyshohet të ketë ndodhur në Prishtinë është raportuar të hënën në mbrëmje në Polici, ku një person ka raportuar për dyshimet se ia kanë kidnapuar të birin.
Gazeta mëson se rasti u zbulua pasi djali i tij, viktima në këtë rast, kishte kërkuar nga familja një shumë të të hollave, për ta paguar një borxh që i kishte mbetur qe një kohë.
Në bazë të informacioneve të para, familja e viktimës ka dyshuar se ia kanë rrëmbyer djalin, pasi nuk kishin asnjë informacion për vendndodhjen e tij e as arsyen që po i kërkonte paratë.
I rezultat i raportimit, Policia është aktivizuar dhe ka arritur të sigurojë prezencën e viktimës i cili ndër të tjera e ka pohuar se paratë po i kërkonte për ta shlyer një borxh për një aksident që e kishte shkaktuar.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se akoma nuk dihet se ku ka qëndruar i riu gjatë kohës kur s’ka pasur kontakte me familjen dhe nëse është mbajtur me forcë nga ndonjë person.
Për ta hetuar rastin dhe për t’i zbardhur të gjitha rrethanat, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore.