“Presim mençuri”: EULEX-i s’i pret mirë lajmërimet për hapjen e Urës së Ibrit së shpejti

 

 

Ky ishte mesazhi i drejtuesit të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovës (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, në kontekstin e lajmërimeve ditë e më të mëdha për hapjen e Urës së Ibrit; vendim ky i marrë qysh në prill të vitit të kaluar nga qeverisja që sapo kishte ardhur në krye të Mitrovicës së Veriut, nga një proces zgjedhor me legjitimitet të vakët, ndonëse krejtësisht legal.

EULEX-i, mision ky edhe faktikisht reaguesi i dytë i sigurisë në rast përshkallëzimi në veriu e banuar me shumicë, i frikësohet “implikimeve serioze që mund të ketë në siguri” hapja thjesht-ashtu e Urës së Ibrit për qarkullim. Kështu i tha “KosovaPress”-it, Barbano.

Kjo është diçka që duhet trajtuar në kuadër të dialogut; natyrisht, është një aspekt për të cilin ne jemi të shqetësuar sepse mund të ketë implikime serioze në siguri. Dhe ne presim që mençuria të përdoret në këtë drejtim”, tha Barbano.

Ne vazhdimisht jemi të angazhuar në monitorimin e situatës, parandalimin e krizave të mundshme, dhe duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me akterët e tjerë në atë që quhet teknikisht, sistemi i sigurisë tre shtresash në Kosovë, ku reaguesi i parë i sigurisë është Policia e Kosovës, reaguesi i dytë i sigurisë është EULEX-i, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, dhe i treti është KFOR-i”, përfundoi Barbano.

Kjo temë u kthye në vëmendje të madhe pasi vetë Zëvendës Komandanti për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, javë më parë e quajti “çështje kohe” hapjen e urës që ndan qytetin e Mitrovicës etnikisht në dysh.

Duhet parë nga siguria

Mesazh të thuajse të njëjtave linja dha edhe ambasadori italian në Kosovë Antonello De Riu; i cili qartësoi në rend të parë se Italia s’bëhet fjalë të jetë kundër hapjes së Urës së Ibrit, veçse kërkon që eventualiteti i hapjes të jetë në koordinim me partnerët e sigurisë. “Duhet parë kah siguria”, ishte konstatimi i tij.

Hapja e urës, siç është thënë edhe në nivel të Bashkimit Evropian dhe të Quint-it, duhet të jetë një akt i përbashkët përmes një operacioni të koordinuar me faktorët ndërkombëtarë. Prandaj, ajo që kërkojmë, si në shumë situata të tjera, është që të ketë koordinim me komunitetin ndërkombëtar”.

Hapja e kësaj ure, duke pasur reflektime nën aspektin e sigurisë, sipas nesh duhet të vlerësohet me kujdes. Nuk jemi kundër hapjes së urës, por kërkojmë, si në shumë situata të tjera, që të ketë një koordinim me Bashkimin Evropian, me vendet e QUINT-it dhe me komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi”, thotë De Riu.

Nacionale ditë më parë vizitoi Urën e Ibrit për të parë nga afër një shtim të pranisë së karabinierëve italianë; dhe krejt kjo në dritën e këtyre lajmërimeve.

Vendimi nga politika

Kuvendi Komunal që e ka nxjerrë vendimin për hapjen e Urës së Ibrit (në prill të 2023) qe një vit s’ka marrë kurrëfarë përgjigje nga Ministria e Pushtetit Lokal e as Ministria e Brendshme, për çka Kryesuesi i atij institucioni thotë se tash “më ne nuk merremi me këtë çështje”.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kontaktuar nga Nacionale i kishte ikur përgjigjes duke thënë “nisma me e-mail të përgjigjem menjëherë”; por më kot, as menjëherë e as më vonë.

Krejtësisht në kundërthënie me veten, Krasniqi u shpreh që “nuk e di” ndonëse mu ato kohë (maj, 2023) ishte shprehur para gazetarëve se këtë vendim e ka në tryezë të tij dhe se “po kontrollojmë ligjshmërinë e vendimit”.

Deklarata në maj (2023) e Elbert Krasniqit: “Ky vendim është në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në kontrollim të ligjshmërisë dhe proceseve administrative. Porsa të përfundojë ky vlerësim, ajo do të jetë në tryezën time dhe më pastaj unë do të vazhdojë me procedimin e tij”.

Kjo temë u rikthye në diskursin publik pasi Zëvendës Drejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, tha javë më parë se hapja e Urës së Ibrit “është çështje kohe”; por, pa specifikuar më tej se kur-dhe-qysh?

Mu atë ditë kontaktuam Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin për ta pyetur për vendimin e marrë nga institucioni që ai e drejton.

“Prej ministrisë kurrëfarë përgjigje nuk kemi marrë”, tha Ugljanin në një prononcim për Nacionalen, teksa na shpjegon se vendimi si i tillë ka kaluar në prill të 2023’ës.

Sipas Nenit 81, Pika 4 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, “autoriteti mbikëqyrës obligohet që të jep mendimin e tij për ligjshmërinë e çdo akti të regjistruar brenda 15 ditësh nga pranimi i tij, në pajtim me procedurat e përmendura më lartë”.

Por, çka ndodh nëse brenda 15 ditësh (janë bërë më shumë se një vit) autoriteti mbikëqyrës – në këtë rast MAPL-ja – nuk kthen përgjigje?

Vetë MAPL ka përpiluar rregullore për situtatë të tillë: “Në rast se organi mbikëqyrës nuk ia kthen shqyrtimin e ligjshmërisë aktit të komunës brenda 15 ditësh nga dita e pranimit…akti i komunës konsiderohet i ligjshëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d