Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të përfaqësojë shtetin e Kosovës në Samitin për Ukrainën që pritet të mbahet të mërkurën në Shqipëri, Tiranë.
Kjo është konfirmuar nga këshilltari i presidentes, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani do ta përfaqësoj Kosovën në Samitin Evropë Juglindore-Ukrainë, i cili do të mbahet në Tiranë”, tha Kupina për Reporteri.net.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të vizitojë Tiranën më 27 shkurt dhe bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama do të organizojnë samitin për Ukrainën, që mbahet një ditë më pas.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që ishte i pranishëm në Qendrën për Hapje dhe Dialog ku u hap ekspozita me 50 fotografi e titulluar “Ukraina, një krim lufte”, foli për rëndësinë e vizitës së udhëheqësit ukrainas dhe të samitit, ku do të marrin pjesë liderë të Evropës Juglindore.
“Kjo ekspozitë vjen në vigjilje të vizitës së presidentit Zelensky në Tiranë, vizitë e cila është nga njëra anë është një vizitë bilaterale. Por, nga ana tjetër është edhe një vizitë e cila do të kulmojë me një samit të vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën, ku do të kemi të ftuar një numër të konsiderueshëm liderësh të kësaj zone të Evropës dhe ku presidenti Zelensky natyrisht është bashkë me ne si bashkëorganizatorë për këtë aktivitet që në kontekstin e sotëm ka, sipas meje, një rëndësi të posaçme”, tha Rama para disa ditësh.
Rama tha se Shqipëria qëndron përkrah me Ukrainën, shtet që për pothuajse dy vjet po përballet me pushtimin e paprovokuar që nisi presidenti rus, Vladimir Putin.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në dyvjetorin e fillimit të agresionit rus në Ukrainë, ka thënë se qëndrojnë me Ukrainën sepse e dimë se si është të paguash çmimin më të lartë për liri.
Ende nuk ka detaje se cilët liderë të Evropës Juglindore do të jenë pjesë e këtij samiti, ndërsa gjatë vizitës në Ankara të Turqisë ditë më parë, Rama tha se presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan do t’i drejtohet samitit përmes një video-mesazhi.
Mbajtjen e këtij samiti, Rama e njoftoi më 22 janar gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Shkup, pasi mori pjesë në një konferencë për planin e rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor me ndihmën e Bashkimit Evropian.