Presidenca e Kosovës ka reaguar sërish në lidhje me incidentin në aeroportin e Shkupit ku u përfshi presidentja Vjosa Osmani pasi Agjencia e Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut tha se në raportin e nxjerrë për këtë rast del që shërbimet e aeroportit kanë respektuar rregullat.
Por, presidenca thotë se në asnjë vend të botës nuk i kërkohet kreut të shtetit që të dorëzojë telefonin për skanim apo edhe sendet personale.
“Në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim. Ne shtete të tjera nuk kontrollohet as bagazhi personal e as çanta personale e kreut të shtetit e lëre më telefoni personal. Si Presidencë, kemi përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera, nuk kemi nevojë ta provojmë, ngase askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit. Nga dhjetëra vende që kemi vizituar deri sot, RMV është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit.
Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdokund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”, thuhet në reagim.
Në njoftim thuhet po ashtu se Osmani nuk është kthyer në Kosovë nëpërmjet Aeroportit të Shkupit, pra ka ndryshuar itinerarin e udhëtimit, sepse ekipi i saj i sigurisë ka vlerësuar se pas “propagandës marramendëse nuk ekzistojnë as kushtet bazike të sigurisë për një gjë të tillë”.