Pozitë e opozitë ‘gojën plot’ për zgjedhje të parakohshme, Kurti ironizon me kundërshtarët: Ua bëjmë numrat

 

 

Të gjithë të gatshëm të garojnë mes vete për ulëset në kabinetin qeveritar. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë shprehur të gatshme që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. Madje shefi i Qeverisë, Albin Kurti, hiç më larg se mbrëmë i sfidoi kundërshtarët e tij, që ta matin forcën politike kur të duan.

Kryeministri Kurti në një intervistë për televizionin publik, tha se opozita duhet ta thotë fjalën e vet sa i përket çështjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Madje, ai ka ofruar edhe ‘ndihmën’ e tij për t’ua mundësuar 2/3 e votave për rrëzimin e Qeverisë.

Unë nuk mund të shkojë në zgjedhje pa opozitën. Për shkuarje në zgjedhje duhen 2/3 e votave dhe nuk ka mënyrë tjetër sipas aktvendimit të Kushtetueses. Ata numrat mund t’i bëjnë bashkë me neve. Kjo është ofertë e imja. Unë them që shkojmë në zgjedhje kur opozita dëshiron. Ne i ndihmojmë opozitës nëse duan të shkojmë në zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati”, ka thënë Kurti.

Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar mbrëmë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se nënshkrimet e partisë së tij janë gati prej nesër [sot].

Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam bërë thirrje e të kam pritë me e shpërnda Kuvendin dhe me shku në zgjedhje sa më shpejt. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati! Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbet sadopak ndërgjegje për situatën e vështirë në të cilën e ke sjellë vendin”, shkroi Krasniqi.

I gatshëm për zgjedhje të parakohshme është shprehur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se partia e tij nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit, por ka ftuar Kurtin që të dorëhiqet.

Le ta jap qartë, zëshëm, nëse është dorëzu e duket se është dorëzu le të jap dorëheqje. Pra nëse është dorëzu le të jap dorëheqje. Por le të ja shpjegoj popullit pse po i lë. LDK nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve.

Nëse është dorëzu, le të jep dorëheqje. Po kërkon zgjedhje, të bëhet viktimë të thotë më rrëzuan.

Le të jap dorëheqje”, tha Abdixhiku në T7.

Ditë më parë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme përmes dorëheqjes, e që sipas tij, kjo nuk mund të ndodh për shkak të Kurtit.

Shkojmë përmes dorëheqjes, a jep Albin Kurti dorëheqje, jo se i bjen mu dorëzu. Mënyra e dytë është mocioni i AAK-së që nuk u nënshkrua as nga opozita. Që një vit nuk ka ndodh. Mënyra e tretë është më u shpërbë parlamenti. Me 80 persona”- ka shtuar ai.

Ndryshe, shpallja e zgjedhjeve të reja parlamentare duhet të bëhet kah fundi i verës, apo fillimi i vjeshtës së sivjetme.

Sipas Kushtetutës, presidentja ka kompetencë për të caktuar datën e zgjedhjeve jo më herët se gjashtë muaj dhe jo më vonë se katër muaj para datës së zgjedhjeve.

Kujtojmë se zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 14 shkurt të 2021, ku fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, e cila mori 438,355 vota ose 50.28% duke u bërë kështu subjekti i parë që fiton gjysmën e votave i vetëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d