“E vrava gruan”, ishin fjalët e para që dyshohet se Edmond Lajqi, u tha policëve në stacionin policor në Pejë, mëngjesin e së martës.
Ai dyshohet se rreth orës 08:15 të mëngjesit në banesën e tyre, vrau me armë zjarri gruan e tij, Gjyljeta Ukella. Lajqi u vetëdorëzua në polici, derisa vendit iu shtua edhe një grua viktimë e burrit të saj.
Gazeta ka raportuar që nga mëngjesi për këtë ngjarje të rëndë që tronditi vendin. Aktualisht, sic mëson Prishtina Sot, i dyshuari Edmond Lajqi, gjendet në stacionin e Policisë në Pejë dhe po intervistohet nga zyrtarët hetues dhe prokurori i rastit.
Po ashtu, përveç Lajqit, janë duke u intervistuar edhe familjarët e tij dhe të viktimës, për të hetuar në detaje mbi motivet që mund ta ketë çuar ta kryej krimin.
Pas disa orësh pritet që Prokuroria e Pejës të dalë në konferencë për media për të shpalosur të gjeturat e tyre të deritashme mbi motivin dhe rrethanat që cuan në vrasjen e Gjyljeta Ukellës. Krimi dyshohet se ndodhi në banesën e tyre, në qendër të qytetit të Pejës.
Kjo u konfirmua nga zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi.
“Kryeprokurori dhe prokuroret janë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se ka ndodhur një rast i vrasjes në qendër të qytetit në një banesë. Dyshohet se bashkëshorti ka vrarë gruan e tij. Personi i dyshuar është arrestuar nga policia dhe i është konfiskuar arma. Jemi duke pritur Institutin e Mjekësisë Ligjore që ta tërheq trupin”, ka thënë Nikçi.
Gruaja që u vra nga burri i saj kishte tre fëmijë me të.Deri më tani nuk dihen motivet e kryerjes së këtij akti të rëndë kriminal.Por, i dyshuari Edmond Lajqi, raportohet se ka të kaluar kriminale. Dyshohet se në vitin 2021 ishte i dënuar për dhunë në familje.Dënimi ndaj tij ishte qesharak. Lajqi u dënua me vetëm 400 euro gjobë.
Derisa, reagimet janë të mëdha. Sidomos thirrje për mbrojtje të grave.
Kjo pasi që numri i viktimave gra burrat e tyre është në rritje.
Po ashtu, në shumicën e rasteve, viktimat i kanë raportuar në organet shtetërore, dhunën dhe maltretimet nga ana e bashkëshortëve të tyre. Dhe se shteti po vazhdon që të dështojë për t’u ofruar siguri grave të dhunuara fizikisht nga bashkëshortët. Rrjedhimisht, përfundimi i rasteve me fatalitet – sikur ky i sotmi – po shihet dukuri shqetësuese dhe në rritje.