Policia e Kosovës, respektivisht njësia e Taskforcës, në përbërje nga Policia dhe Dogana e Kosovës, në vazhdën e zbatimit të masave të luftës kundrejt dukurive të kundërligjshme, e në veçanti asaj të kontrabandës, si rrjedhojë edhe e marrjes së veprimeve hetimore dhe operative në terren, në zonën kufitare Kosovë-Serbi ka ndërhyrë në tri raste të ndara, që kanë rezultuar me parandalimin e kontrabandimit të mallrave të ndryshme.
Rasti i parë
Më 5 shtator, rreth orës 06:35, në brezin kufitar mes fshatrave Dobrosinë të Serbisë dhe Stublinë të Kosovës, është vërejtur një automjet me targa serbe, nën dyshimin se ishte duke bërë kontrabandim me mallra.
Automjeti i dyshuar që po drejtohej nga i dyshuari mashkull, është ndaluar dhe gjatë kontrollit është vërejtur se kishte pasur të ngarkuar disa thasë, ku në brendësi kishte duhan me peshë nga 500 gramë.
Duhani ishte i llojeve të ndryshme si: Marlboro slim, Marlboro silver, Sobranie dhe Tabako. Malli arrinte në peshë të përgjithshme prej 340 kg dhe për të njëjtin posedonte dokument mbi prejardhjen e mallit, ndërsa vlera e mallit dhe shmangiet doganore janë rreth 20.000 euro.
Lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me prokurorin kompetent, kurse malli i kontrabanduar dhe automjeti janë sekuestruar për t’u dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejme, sipas kompetencës.
Rasti i dytë:
Më 4 shtator, rreth orës 18:40, në brezin kufitar në mes të fshatrave Breznicë të Serbisë dhe Karaçevë e Poshtme të Kosovës, është vërejtur një automjet me targa vendore duke hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit që nga i dyshuari, mashkull kosovar, ishin të ngarkuara 798 shishe me birra Zajrqasko (me nga 0.5 litër), pa dokumente mbi prejardhjen e mallit.
Rasti i tretë
Më 4 shtator, rreth orës 19:50, në brezin kufitar në mes të fshatrave Breznicë të Serbisë dhe Karaçevë e Poshtme të Kosovës, është vërejtur një automjet me targa vendore, duke hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit që drejtohej nga i dyshuari, mashkull kosovar, janë hasur të ngarkuara 27 pako me speca në peshë prej rreth 300 kg, pa dokumente mbi prejardhjen e mallit.
Lidhur me rastin, automjeti dhe mallrat e kontrabanduara janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor, për procedurat e mëtejme.