Dyshimi se nxënësit po bartin mjete të dyshimta dhe të rrezikshme, ka bërë që policia e Ferizajt mbrëmë të bëjë një kontroll të autobusëve urbanë.
Rreth orës 20:00 në rrugën “Enver Topalli”, policia kontrolloi autobusin që po udhëtonte në drejtim të fshatrave Doganaj, Greme dhe Gaçkë.
“Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, të cilët kanë qenë kryesisht nxënës, në dyshemenë e autobusit janë gjetur: një armë zjarri, dy thika dhe një boks hekuri, të cilat nuk dihen se kujt i përkasin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Rasti i iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës” ka nisur të hetohet, me urdhër të prokurorit.
Policia ka bërë të ditur se kontrollimi i autobusëve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim parandalimin dhe luftimin e dukurive negative te nxënësit.
“Ftojmë qytetarët për bashkëpunim, që nëse kanë informacione rreth dukurive negative te nxënësit të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro policinë ’’ dhe në numrat kujdestarë, të cilët janë: 192 , 0290/326-250 dhe 0290/322-406” thuhet në komunikatën zyrtare të policisë.