Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve të vendit për të lokalizuar vendndodhjen e një personi të dyshuar për vjedhje të rëndë.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, Policia njofton se i dyshuari është Besart [Ismet] Leka, 34-vjeçar, i cili gjatë ditës së djeshme u prononcua për mediumin Nacionale nga arratia.
“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, lëshon këtë kërkesë për bashkëpunim me qytetarë dhe mediat. Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan në vazhdimësi ka marrë dhe është duke marrë të gjitha veprimet me qëllim të lokalizimit të personit të dyshuar.
Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Gjilan kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, E-mail: info@kosovopolice.com dhe numrat kujdestarë:192; 03850807001”, thuhet në njoftimin e Policisë.