Podujevë: Nëna i bën presion vajzës të mos ndahet nga burri, e lejon dhëndrin ta rrah para syve të saj

 

 

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur së fundmi në një familje në Podujevë, ku një vajzë ka përjetuar dhunë fizike dhe psikike nga bashkëshorti, si dhe nga nëna e saj.

Siç mëson gazeta, gjithçka dyshohet se ka ndodhur pasi viktima kishte marrë vendim që të ndahej nga burri, por është përballur më kundërshtimet e nënës së saj, që eskaluan në dhunë psikike e presion të madh.

Për të mos mbaruar me kaq, e njëjta ka përjetuar edhe dhunë fizike nga bashkëshorti, i cili po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht, para syve të nënës së saj.

Kjo e fundit, përveç që nuk ndërhyri që ta ndalojë dhëndrin, ajo madje nuk e ka lejuar vajzën ta denoncojë rastin në Polici.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se përkundër tentativës që rasti të fshihet, Policia është vënë në dijeni dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Viktima dhe nëna e saj kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë, teksa njësitë policore kanë arritur ta arrestojnë edhe të dyshuarin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d