Një grua britanike dhe djali i saj 22-vjeçar janë mbytur nga një ortek në Alpet e Francës, përderisa ishin duke skijuar.Gruas 54-vjeçare dhe të birit të saj nuk u janë publikuar emrat, por thuhet se ata ishin duke skijuar jashtë pistës në Saint-Gervais, afër kufirit me Zvicrën, kur u mbuluan nga bora e një orteku rreth orës 15 e 30 minuta sipas kohës lokale, raporton televizioni BBC.
Viktimat ishin pjesë e një grupi prej pesë personash nga e njëjta familje, bashkë me një udhërrëfyes që e njihnin me vite. Mediat lokale thanë se ata nuk kishin vendosur pajisje që përdoren për t’i gjetur të mbijetuarit.
Orteku nisi në një lartësi prej rreth 2.300 metrash dhe lëvizi rreth 400 metra, thanë autoritetet lokale. Ato shtuan se orteku mund të jetë nxitur nga një grup tjetër i skitarëve që ndodheshin më lart.
Dy viktimat u gjetën pas rreth pesë orëve të kërkimit nga 20 anëtarë të reagimit të parë dhe dy helikopterë, tha përmes një deklarate prokurorja në Bonneville, Karline Bouisset.