Është zbardhur pas rreth një muaji dinamika e shpërthimit në bregdetin e Sarandës, ku ndërroi jetë biznesmeni 52-vjeçar Armand Nelaj.
Trupi i 52-vjeçarit u gjet i dëmtuar rëndë në ujërat pranë portit të qytetit nga dy turistë të huaj që po lundronin me një gomone. Ata e nxorën Nelajn nga uji dhe e transportuan drejt spitalit të qytetit, ku nuk mundi dot t’i mbijetonte plagëve të marra.
Fillimisht u dyshua se shpërthimi u shkaktua nga bombula e gazit e 52-vjeçarit i cili po kryente zhytje.
Por gjetja e elementëve të lëndës plasëse i shtyu autoritetet drejt një hetimi të thelluar. Një muaj pas ngjarje u zbulua se Nelaj së bashku me një 35-vjeçar kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.
Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën biznesmeni në qytetin jugor.
Në lidhje me ngjarjen policia arrestoi këtë të hënë dhe shtetasin Erdion Muho, 35 vjeç, banues në Sarandë.