‘Plaki i Bregut’ 23-vjeçar me të kaluar kriminale i përfshirë në konfliktin e mbrëmshëm – Krejt çka dihet

 

 

Një konflikt i mëhershëm mes palëve dyshohet se ishte motiv i të shtënave me armë zjarri të enjten mbrëma, te banesat e bardha në lagjen Bregu i Diellit 2 në Prishtinë. Nga gjuajtjet me kallashnikov fatmirësisht deri më tani nuk është raportuar për të lënduar. Sinjali ka zbuluar ekskluzivisht identitetin e të dyshuarit dhe detajet që lidhen me sherrin që eskaloi në përdorim të armës.

Siç merr vesh Sinjali, personi që po dyshohet për përfshirje në këtë rast Harbin Vitija, ka të kaluar kriminale dhe njihet si ‘Plaki i Bregut’.

Ai po dyshohet për therjen me thikë të një të mituri të mërkurën, pikërisht në zonën ku ndodhi edhe mbrëmë incidenti. Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se rasti i mbrëmshëm është vazhdimësi e një konflikti të mëhershëm, pasi palët kanë pasur probleme edhe më herët – por jo direkt me viktimën e sherrit të sotshëm.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci. Ai tha ka deklaruar se Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore.

“Nga veprimet e para policore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja, ndërkohë që deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar”.

Një banor në atë zonë ka rrëfyer për Sinjalin se kanë dëgjuar “minimum 10 herë të shtëna” duke e trazuar gjithë lagjen. Sipas tij, dyshohet se ka pasur një konfrontim në mes dy grupeve.

Lidhur me rastin, ka folur edhe kryeprokurori Zejnullah Gashi.

Për të dyshuarit, Gashi thotë se janë të njohur për policinë, si dhe janë në kërkim.

Tutje, ai e konfirmohet se konflikti me armë zjarri erdhi pas një mosmarrëveshjeje një ditë më herët mes të të dyshuarve.

Po ashtu, kryeprokurori shton, se gjatë bastisjes në banesën e të dyshuarave, janë gjetur prova të rëndësishme.

“Këtu jemi në vendin e ngjarjes për arsye se ka ndodhur gjuajtje me armë mes dy grupeve, siç u informua edhe më parë opinioni publik. Janë dy persona të dyshuar të cilët pas një mosmarrëveshjeje që kanë pasur  një ditë më parë, ata sot kanë gjuajtur mes vete. Nuk ka të lënduar përpos një gërvishtje të një fqinje aty nga plumbi rikoshet. Përndryshe personat e dyshuar janë të njoftuar për Policinë e Kosovës, janë recidivistë. Ne kemi të gjitha provat. Gjatë bastisjes në kemi arritur ta kapim disa dëshmi shumë të rëndësishme, disa maska dhe sasi narkotike. Hetimet janë duke vazhduar. Personat janë në kërkim”, tha Gashi.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d