Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në Prishtinë, ku si pasojë e një përleshje u dëgjuan të shtëna armësh te ‘Gizzi Grill’ në Veternik, duke u plagosur tre persona.
Siç raportoi gazeta dje, tre persona u qëlluan me armë zjarri dhe të njëjtit u dërguan në QKUK për trajtim mjekësor. Lajmi më pas u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës ku zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se ngjarja është raportuar rreth orës 06:30.
Gazeta po ashtu mësoi ekskluzivisht se personat që u plagosën janë: Arben Osmanaj (37-vjeçar), Laura Prenaj (24-vjeçare) dhe Leonita Sadikaj (19-vjeçare).
Lidhur me këtë rast, Policia sot ka dhënë disa detaje të reja.
Bëhet e ditur se lidhur me rastin janë intervistuar 9 persona, ndërsa një person është në kërkim policor.
“Gjatë një rrahje ku ishin të përfshirë disa persona, ishin përdorë edhe armë zjarri. Lëndime trupore kanë pësuar dy femra dhe një mashkull kosovar. Në vendngjarje në cilësi të provave materiale është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë. Lidhur me rastin janë intervistuar 9 persona. Të lënduarit janë dërguar ne tretman mjekësor në QKUK. Lidhur me rastin është identifikuar një i mashkull kosovar cili është në kërkim policor”, thuhet në njoftim.