Pjesëtari i Shoqatës për Kërkim Shpëtim flet pasi ia dha ndihmën e parë gruas së plagosur në Fushë Kosovë

 

 

Një ngjarje e rëndë u shënua mëngjesin e sotëm në Bresje të Fushë Kosovës, që për pak përfundoi tragjikisht. Për motive akoma të panjohura, një burrë dyshohet se e qëlloi me armë zjarri bashkëshorten e tij. Viktima tashmë është transportuar në QKUK, ndërsa i dyshuari është arrestuar.

Kjo ngjarje ka tronditur qytetarët që ishin në lëvizje në atë pjesë, në momentin kur viktima u pa e shtrirë në tokë dhe e gjakosur. Njëri prej tyre, që ia dha ndihmën e parë viktimës, ka folur për Gazetën Sinjali dhe ka rrëfyer se si arriti të intervenojë bashkë me disa zyrtarë të Njësisë Speciale.

Pjesëtari i Shoqatës për Kërkim Shpëtim tha për Sinjalin se viktima ka qenë e goditur në kokë dhe në brinjë dhe fatmirësisht në atë moment kanë arritur që t’ia ndalin gjakderdhjen, derisa ka arritur autoambulanca.

“Me Njësinë Speciale të Kosovës ia dhash ndihmën e parë viktimës sepse edhe jam instruktor i certifikuar i ndihmës së parë. Ajo ka qenë e goditur në kokë dhe e plagosur në brinjë. Kryesi i aktit mund të jetë rreth moshës 60-65 vjeçar.

Unë isha në kolonë mbrapa Njësisë Speciale dhe posa e pash rastin, shkova direkt. Isha i pari që ia dhash ndihmën dhe ia ndala gjakderdhjen.

I dyshuari qëndronte aty dhe pastaj e morën Policia.” – tha ai për Sinjalin.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor dhe akoma nuk dihet gjendja e saj shëndetësore.

Rasti është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.

“Sot rreth orës 07:30 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në Bresje- Fushë Kosovë. Personi i plagosur (femër) është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar, ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.” – ka thënë Flora Ahmeti për Sinjalin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d