Pesë të lënduarit nga ashensori në Fushë Kosovë, kjo është firma përgjegjëse që po hesht karshi banorëve

 

 

Pesë persona janë lënduar nga rrëshqitja e ashensorit mbrëmjen e së shtunës në lagjen ‘Eliza’ në Fushë Kosovë. Në vendngjarje kanë qenë edhe Policia e Kosovës, si dhe ambulanca. Një banor i lagjes është ankuar se kompania përgjegjëse është kontaktuar pesë herë për ta sanuar problemin, mirëpo që s’iu është përgjigjur thirrjeve. Insajderi ka marrë vesh se firma përgjegjëse për mirëmbajtjen e liftit është ‘HYMERI Elevators’ bashkë me ‘Mjeshtri’. Mediumi ka provuar të kontaktojë që nga mëngjesi i së dielës për të marrë një version nga ta, mirëpo s’ka marrë përgjigje.

Lifti nga kati i dytë ka rrëshqitur dhe ka rënë në bodrum, duke lënduar pesë banorë të hyrjes 5.5 të lagjes ‘Eliza’ në Fushë Kosovë. Insajderi ka parë në vendngjarje policinë dhe ambulancën, ku më pas janë shoqëruar për në emergjencë të pestit.

Banorë të asaj ndërtese janë ankuar se kompania përgjegjëse është njoftuar për të pestën herë që ashensori ka defekte, mirëpo që s’kanë intervenuar. Kështu ka raportuar edhe një medium lokal i Fushë Kosovës.

“Pershendetje , ne lagjen ‘Eliza’ ne Fushe Kosove hyrja 5.5 ka ren Lifti nga kati i dyte ne podrum dhe ka te lenduar. Kompania qe eshte pergjegjese eshte njoftu qe 5 here ne grupin  e lagjes qe lifti eshte ne defekt dhe nuk eshte rregullu. Banoret jan dergu ne spital ne emergjence”, thuhet në shkrimin e tyre në ‘Facebook’.

Komentues në këtë postim kanë kërkuar që t’i merret licenca kompanisë përgjegjëse për këtë.

Gazeta ka marrë vesh se kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e ashensorëve të asaj ndërtese është ‘Hymeri Elevators’ bashkë me ‘Mjeshtri’.

Gazeta ka provuar të kontaktojë që nga mëngjesi i së dielës me kompanitë, për t’i pyetur nëse pretendimet e banorëve janë të vërteta. Mediumi është interesuar për ta pyetur nëse është sanuar deri më tani, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.

Komuna e Fushë Kosovës, përkundër insistimit të qytetarëve, ende s’ka bërë asnjë reagim lidhur me rastin. Mediumi lokal ‘Fushë Kosova Portal’ ka thënë se kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e ashensorëve s’mbajnë përgjegjësi pasi që s’monitorohen nga komuna.

“Gjithashtu, shumë banorë na shkruajnë se edhe në disa komplekse të tjera kompanitë nuk mbajnë fare përgjegjësi. Pasi nuk monitorohen nga askush prej komune”, thuhet ndër të tjera në postimin e tyre

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d