Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizitoi sot Komunën e Podujevës, me rastin e përurimit të shkollës së re “Musli Dumoshi” në fshatin Dumosh dhe “Ali Hadri” në fshatin Obranqë.
Vlera financiare e shkollës “Musli Dumoshi” që u përurua sot është mbi 584 mijë euro, derisa afër gjysmë milionë euro të tjera u investuan në shkollën “Ali Hadri”, e cila ka filluar të ndërtohet në shtator të vitit 2022.
Fillimisht, para banorëve të fshatit Dumosh që kishin ardhur për të festuar përurimin e shkollës së re, kryeministri Kurti u shpreh se muaji shtator është muaji i rifillimit të rrugëtimit të përbashkët, të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve të shtetit, për një të ardhme që pasqyron vlerat më të mira të kombit tonë, teksa uroi për një vit të mbarë dhe të suksesshëm.
Ai ktheu në kujtesë të pjesëmarrësve vendosjen e gurthemelit të shkollës “Musli Dumoshi” dhe fillimin e ndërtimit të saj me 19 qershor të vitit të kaluar, e cila përkon me Ditën e Çlirimit të Podujevës.
“Uroj që kjo shkollë, e çdo tjetër në vendin tonë, të jetë burim frymëzimi për çdo fëmijë, që të përqafojë dijen e të kërkojë më të mirën nga vetja, nga shoqëria, nga bota… e bashkë me rrjedhën e lumit të Dumnicës, të pandalshme i paçi edhe sukseset tuaja”, u shpreh kryeministri në fjalën e tij.
Nga aty vazhdoi për në fshatin Obranqë, me rastin e përurimit të shkollës “Ali Hadri”, që mban emrin e historianit të shquar të kombit tonë. Kryeministri i uroi nxënësit dhe banorët për shkollën e re, kryetarin e Komunës e përgëzoi për investimet kapitale në arsim, të cilat gjatë mandatit të tij janë rritur për 15 fish, ndërkaq mësimdhënësit dhe drejtuesit e shkollës i falënderoi për punën e palodhshme që bëjnë për t’i ndritur mendjet e më të vegjëlve që janë edhe e tashmja edhe e ardhmja jonë.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, që po e shoqëronte kryeministrin gjatë kësaj vizite tha se përurimi i këtyre dy shkollave është kënaqësi por edhe privilegj njëkohësisht. Ajo theksoi si qeveri dhe si ministri jemi të vetëdijshëm për detyrën që e kemi të jemi pranë qytetarëve për krijimin e kushteve më të mira, më cilësore, për mundësi të barabarta, për të gjithë nxënësit.
Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi u shpreh se kjo është një ditë e veçantë për të gjithë, sepse po hapim dyert e shkollës së re në fshatin Dumosh dhe asaj në fshatin Obranqë, investime këto të rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve dhe për të gjithë, por në të njëjtën kohë edhe premtime të realizuar të qeverisjes komunale që drejton ai.
Pas ceremonive përuruese gjatë të cilave kishte edhe program kulturor të përgatitur nga mësimdhënësit dhe nxënësit, kryeministri Kurti, së bashku me ministren Nagavci, nënkryetaren e Kuvendit, Bogujevci, kryetarin Bulliqi vizituan hapësirat e reja të shkollave, fillimisht të Dumosh, ku u shoqërua edhe nga nëna e dëshmorit të kombit, Ali Ajeti, Vahide Ajeti dhe pastaj në Obranqë ku veçse po zhvillohej mësimi.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në Dumosh:
E nderuara znj. Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
E nderuara znj.Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
E dashura Lokja Vahide, nëna e dëshmorit të kombit, veprimtarit të paepur, Ali Ajetit,
I nderuari Shpejtim Bulliqi, Kryetar i Komunës së Podujevës,
E nderuar znj. Sebahate Jakupi, drejtore e shkollës “Musli Dumoshi”,
Të nderuar banorë të Dumoshit,
Të nderuar mësimdhënës dhe prindër, shumë të dashur nxënës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Mirëmëngjesi të gjithëve, e në këtë të mërkurë të parë të muajit shtator, po e bëjmë një inaugurim të rëndësishëm për të gjithë juve, për të gjithë neve, për të tashmen, e për të ardhmen. Ky është muaji i rifillimit të rrugëtimit tonë të përbashkët, të mësimdhënësve, të prindërve, të nxënësve dhe të institucioneve të shtetit, për një të ardhme që pasqyron vlerat më të mira të kombit tonë. Andaj urime ky vit i ri shkollor në ndërtesë të re e qoftë i mbarë dhe i suksesshëm për të gjithë!
Të dashura motra dhe vëllezër,
Mirë se po ju gjej në Dumosh dhe faleminderit për këtë mikpritje të përzemërt. Është kënaqësi të rikthehem këtu, ku ishim bashkë me rastin e vendosjes së gurthemelit më 19 qershor të vitit të kaluar. Ndërtimin e kësaj shkolle e filluam në Ditën e Çlirimit të Podujevës, sepse sikurse liria, edhe zhvillimi e prosperiteti vijnë nga puna e palodhshme dhe sakrificat e mëdha.
Në këto klasa do të rriten e ndritën mendjet e reja që do të ndërtojnë nesër një botë më të drejtë e më të bukur. Uroj që kjo shkollë, e çdo tjetër në vendin tonë, të jetë burim frymëzimi për çdo fëmijë, që të përqafojë dijen e të kërkojë më të mirën nga vetja, nga shoqëria, nga bota.
Për të përmirësuar kushtet arsimore dhe për ta ngritur cilësinë, çdo vit e kemi rritur buxhetin për arsim. Edhe këtë vit kemi bërë subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. E nga muaji gusht i kemi rritur shtesat për fëmijët deri në moshën 16 vjeçare. Po vazhdojmë të rrisim mbështetjen e shtetit ndaj fëmijëve dhe familjeve.
E përkrahja jonë për edukimin dhe për zhvillimin e të rinjve tanë do të jetë e pandërprerë. Edhe investimi në infrastrukturën shkollore është investim në potencialin e jashtëzakonshëm që mbartin fëmijët e Kosovës. Vlera financiare e shkollës “Musli Dumoshi” që po e urojmë sot është 584,807.94 euro. Vlera e vërtetë qëndron natyrisht te mundësitë që kjo shkollë do të krijojë për nxënësit, që të arsimohen në kushte dinjitoze, t’i ushqejnë talentet, e t’i avancojnë aftësitë. Pra, kësisoj të kontribuojnë për të mirën e shoqërisë.
Ju faleminderit të gjithëve për angazhimin dhe kontributin për përfundimin e suksesshëm të punimeve. E gëzofshi shkollën e re! Qoftë vend i arritjeve të përbashkëta, e i rritjes së qytetarëve të ditur që e lartësojnë Republikën e Kosovës.
Bashkë me rrjedhën e lumit të Dumnicës, të pandalshme i paçi edhe sukseset tuaja! Urime edhe një herë!
Ju falemnderit.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti në Obranqë:
Pas përurimit, inaugurimit, të shkollës në Dumosh, erdhëm këtu në Obranqë, një vendbanim i madh i trevës së Llapit, ku shkolla e mbanë emrin “Ali Hadri”, të historianit të shquar të kombit tonë, dhe investimi është afër gjysmë milion euro. Në krahasim me para tri vjetëve Komuna e Podujevës, me kryetarin Shpejtim Bulliqi, i ka 15-fishuar shpenzimet kapitale për arsim. Pra 1400 për qind janë investimet e shtuara në Komunën e Podujevës sa i përket investimeve kapitale në arsim. Jo 14 për qind, jo 140 për qind, por 1400 për qind apo 15 herë më shumë.
Nxënësit, arsimtarët, drejtori i shkollës Fatmir Halimi, i falënderojmë për punën e palodhshme që bëjnë për t’i ndritur mendjet e më të vegjëlve që janë edhe e tashmja edhe e ardhmja jonë.
Gëzuar shkolla e re, e ju dëshiroj të gjithëve punë të mbara e suksese të shumta!