Përpjekje tjetër e Iranit për të ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA, agjencitë amerikane japin njoftimin

 

 

Hakerët iranianë duket se janë përpjekur të nxisnin interesin e ekipit të fushatës së Presidentit Joe Biden me informacione të vjedhura nga fushata e kundërshtarit të tij Donald Trump, përfshirë dërgimin e e-maileve drejt njerëzve të lidhur me presidentin demokrat, në përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2024.

Kështu tha FBI-ja dhe agjenci të tjera federale të mërkurën.

Nuk ka prova se ndonjë nga personat që ka marrë e-mailin është përgjigjur, thanë zyrtarët, duke penguar që informacioni i hakeruar të bëhej publik në muajt e fundit të fushatës zgjedhore.

Hakerët i dërguan e-mailet në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut tek individë që ishin të lidhur me fushatën e Presidentit Biden, përpara se ai të tërhiqej nga gara.

Sipas një deklarate të qeverisë amerikane, e-mailet “përmbanin një fragment të shkëputur nga materiale të vjedhura, jo publike nga fushata e ish-Presidentit Trump”.

Ky njoftim, është përpjekja e fundit për të nxjerrë në pah atë që zyrtarët thonë se është synim i vazhdueshëm i Iranit për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2024-ës, përfshirë një sulm kibernetik që kishte si objektiv fushatën e ish-Presidentit Trump.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d