Kryeministri britanik, Keir Starmer, do të diskutojë me udhëheqësit gjermanë një marrëveshje historike për ekonominë dhe mbrojtjen, duke u përpjekur që ta shfrytëzojë vizitën të mërkurën si një mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet e vendit të tij me pjesën tjetër të Evropës.
Në prag të një vizite dyditore në Gjermani dhe Francë, Starmer tha se dëshiron që Britania t’i tejkalojë marrëdhëniet jo të mira të qeverisë së mëparshme konservatore me aleatët evropianë. Ai tha se kërkon që në qendër të përpjekjeve të tij për të nxitur rritjen ekonomike të Britanisë të vendosë lidhje më të mira me bllokun.
Në ndalesën e parë në Berlin, kryeministri Starmer do të zhvillojë bisedime me kancelarin Olaf Scholz lidhur me një pakt të ri për të cilin besojë se do sjellë një shkallë të re bashkëpunimi në fusha të tilla si tregtia dhe energjia.
“Ne duhet ta lëmë pas Brexit-in dhe të rregullojmë marrëdhëniet e prishura të trashëguara nga qeveria e mëparshme”, tha Starmer në një deklaratë.
“Kemi një mundësi një herë në një brez për të rindërtuar lidhjet tona me Evropën”.
Britania dhe Gjermania, vende anëtare të NATO-s dhe shpenzuesit më të mëdhenj në fushën e mbrojtjes në Evropën Perëndimore, po kërkojnë mënyra për të rritur bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes përpara mundësisë që Shtetet e Bashkuara të pakësojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën nëse republikani Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit të ardhshëm.