Saharaja, e njohur si shkretëtira më e madhe në botë, është përballur me përmbytje të pazakonta këtë vit, një fenomen i rrallë që ka ngritur shqetësime të mëdha për ndikimin e ndryshimeve klimatike. Zona të ndryshme të shkretëtirës kanë përjetuar reshje intensive shiu.
Errachidia, një qytet në juglindje të Marokut, regjistroi gati 80 milimetra shi në vetëm dy ditë. Kjo sasi është më shumë se gjysma e reshjeve që bien gjatë gjithë vitit në atë zonë.
“Kanë kaluar 30 deri në 50 vjet që kur kemi pasur kaq shumë shi në një hapësirë kaq të shkurtër kohore,” tha Houssine Youabeb nga agjencia meteorologjike e Marokut, shkruan A2.
Shiu krijoi një peizazh të ri mbi terrenin e shkretëtirës, me liqene të vogla të gdhendura në dunat e rërës, mes palmave.
Sipas ekspertëve, këto përmbytje janë pasojë e rritjes së temperaturave globale dhe ndryshimeve të modeleve të motit. Reshjet e dendura, të cilat janë jashtëzakonisht të rralla në këtë rajon, po bëhen më të shpeshta dhe më intensive. Shkencëtarët e klimës shprehen se këto ngjarje ekstreme janë shenjë e një rritjeje të paqëndrueshmërisë klimatike, duke theksuar nevojën urgjente për masa kundër ngrohjes globale.