Autoritetet serbe thanë të hënën se një varkë me imigrantë u përmbys teksa kalonte nga Serbia në Bosnjë, nëpër lumin Drina.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se policia serbe u njoftua rreth orës 05:00 të mëngjesit nga autoritetet në Bosnjë. Ai tha se 18 imigrantë, në mesin e të cilëve tre fëmijë, arritën të kalonin në Bosnjë, ndërsa 25 persona ishin në varkë kur ajo u përmbys.
Zhytësit pritet t’i bashkohen kërkimit në lumin Drina, tha ai.
Imigrantët që shfrytëzojnë të ashtuquajturën rrugë tokësore ballkanike në përpjekjet e tyre për të arritur në Evropën Perëndimore, hyjnë në Serbi nga Bullgaria ose Maqedonia e Veriut përpara se të shkojnë në Hungari, Kroaci ose Bosnjë.