Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Një rast i tillë ka ndodhur në lagjen Dardania në Prishtinë, ku si pasojë e një përleshjeje, dy persona janë therur me thikë.
Burimet e Gazetës brenda Emergjencës kanë bërë me dije se dy viktimat janë dërguar atje për ndihmë mjekësore, si pasojë e plagëve që dyshohet se morën nga goditjet me mjet të morehtë.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e dy viktimave është stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë shoqëruar të dyshuarit në stacion policor.
Të dyshuarit, të moshës së mitur, kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.