Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për të shtënat me armë mbrëmë në Prishtinë, ku për pasojë mbetën të vdekur dy persona. Viktima që ndërroi jetë mbrëmë është 30 vjeçari E.H, ndërsa sot në QKUK ka vdekur edhe një grua e moshës 48 vjeçare që u plagos rëndë.
Siç ka bërë të ditur policia, 48 vjeçarja u qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj dhe nuk ishte pjesë e palëve të përfshira në rast.
Policia njofton se është në kërkim të dy personave të dyshuar për rastin.
“Mbrëmë rreth orës 21:15, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën Jeronim De Rada në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Në këtë rast katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga goditja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast.
Si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit njëri nga personat e plagosur :
E. H, mashkull, 30 vjeç, ka vdekur mbrëmë, ndërsa sot rreth orës 11:00 nga QKUK jemi njoftuar se edhe viktima e dytë Z.G, femër, 48 vjeç, ka vdekur.
E ndjera është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj ,nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.
Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të dy peronave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e policisë”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës.